Mbështetje financiare për familjet më të prekura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019

Komunikatë Shtypi e Kryqit të Kuq Shqiptar
Datë 23 Qershor 2020

Përfundoi faza e parë e mbështetjes financiare për 1100 familje

Kryqi i Kuq Shqiptar po zbaton, me mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Projektin “Mbështetje financiare për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019”.
Pas një mbështetje ushqimore dhe jo vetëm për rreth 6400 familje gjatë katër muajve pas tërmetit në të gjitha zonat e prekura, mbështetur në eksperiencën më të mirë të veprimtarive humanitare në ndihmë të familjeve të prekura nga katastrofat, Kryqi i Kuq Shqiptar po realizon me sukses mbështetjen me fonde të familjeve më të prekura.
Projekti konsiston në mbështetjen financiare me fonde Cash për 1100 familjeve më të prekura nga tërmeti në Bashkitë Durrës, Shijak , Krujë , Laç, Vorë, Kamzë, Tiranë, që janë në të njëjtën kohë në vështirësi ekonomike për të përballuar nevojat më të domosdoshme të jetesës. Tashmë po përfundon shpërndarja e parë e mbështetjes financiare e cila do të zgjas tre deri në pesë muaj.
Përzgjedhja e familjeve përfituese është bërë në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të pushtetit, kryesisht nga familjet e klasifikuara në shkallën e dëmtimit DS5 dhe DS4, bazuar në vlerësimin derë më derë të kritereve të përcaktuara paraprakisht si : familje që kanë humbur anëtarë të tyre nga tërmeti; familje në asistencë sociale ; familje me anëtarë me aftësi ndryshe/invalidë/sëmundje kronike ; gra shtatëzëna dhe familje me një prind ; familje me shumë fëmijë nën moshën e punës ; familje me të ardhura shumë të pakta.
Shuma e përfituar nga familjet është në varësi të numrit të anëtarëve të saj. Kështu familjet me një anëtar përfitojnë 13 600 lekë në muaj ; me dy anëtar 27 200 lekë në muaj ; me tre anëtarë 40 800 lekë në muaj ; me katër ose më shumë anëtarë 54 400 lekë në muaj muaj. Shumat e përfituara për çdo familje u jepen zonjave të shtëpisë. Shpërndarja e lekëve bëhet me çek, të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar dhe i paguhet nga Raiffeisen BANK.
Projekti “Mbështetje financiare për familjet më të prekura nga tërmeti i nëntori 2019” mundësohet nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me mbështetjen e shumë shoqata simotra, qeveri të ndryshme, programi ECHO; donacione bilaterale drejpërdrejt për Kryqin e Kuq Shqiptar nga Kryqi i Kuq i Maqedonise Veriut, Kryqi i Kuq i Malit Zi, Kryqi i Kuq i Kinës, Kompania SHELL; donacione on-line Gofundme nga individë të ndryshëm, etj.
Për një informacion më të detajuar mbi këtë projekt, për familjet e interesuar Kryqi i Kuq Shqiptar ka vënë në dispozicion numrin e telefonit pa pagesë 08008833.
Kryqi i Kuq Shqiptar

Për më shumë informacion:
Zamir Muça, Koordinator për marrëdhëniet me publikun
Mob. 0694092740, zmuca@kksh.org.al
Fatos Xhengo, Koordinator i Programit për përgatitjen dhe ndërhyrjen në raste katastrofash
Mob. 0692029142, fxhengo@kksh.org.al
Xhilda Nushi, Koordinatore e Projektit “Mbështetje financiare për familjet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019
Mob. 0694092741, xhnushi@kksh.or.al

Ndajeni me miqte tuaj: