Maj – Qershor, Fushata në ndihmë të fëmijëve në nevojë

 

 

Fushata Maj – Qershor, e organizuar këtë vit nga Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH), ka në fokus fëmijët në nevojë. Kjo fushatë është vazhdimësi dhe pjesë integrale e ndërhyrjes humanitare që KKSH realizon gjatë gjithë vitit për të gjitha kategoritë në vështirësi ekonomike dhe sociale

 

Dita më kulmore e fushatës do të jetë 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e fëmijëve, ditë në të cilën do të realizohen një sërë veprimtarish sensibilizuese dhe mbështetëse për fëmijët në nevojë, të identifikuar tashmë nga degët e KK në të gjithë vendin. Në këto dy muaj puna e Kryqit të Kuq do të fokusohet veçanërisht në ndërgjegjësimin e publikut dhe të aktorëve të tjerë mbi çështje socio-ekonomike që shqetësojnë fëmijët në vendin tonë si dhe në rritjen e burimeve financiare në mbështetje të kësaj kategorie.

 

E gjithë fushata do të realizohet në tre shtylla të rëndësishme të të drejtave të fëmijëve siç është e drejta për mbrojtje dhe përfshirje sociale, e drejta për zhvillim dhe arsim, e drejta për kujdes shëndetësor.

 

Një nga elementet mbështetës i fushatës është dhe kremtimi i 8 majit, Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ditë kjo që shoqërohet me shumë veprimtari që kanë në qendër fëmijët siç është Konkursi i Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, çfarë do të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për kontributin e madh në vite të KKSH në fushën humanitare, ku fëmijët zënë një vend të veçantë.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar do t’i drejtohet të gjithëve, në veçanti kolektivave të shkollave, që të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre, duke kërkuar rritjen e ndjenjës së solidaritetit dhe të ndihmës te fëmijët. Vullnetarët e Degëve të KK do t’i drejtohen kolektivave të sipërmarrjeve private dhe shtetërore, biznesit dhe vetë publikut të gjerë që t’i bashkohen kësaj fushate, duke dhënë secili kontributin e tij modestë në ndihmë të fëmijëve.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon të gjithë ata që në vite i janë bashkuar iniciativave humanitare të Kryqit të Kuq dhe shpreh bindjen se dhe në këtë fushatë numri i kontribuuesve në ndihmë të fëmijëve në nevojë do të jetë i madh.

 

Ndajeni me miqte tuaj: