Këtë vit, mesazhi i Ditës Botërore të Ndihmës së Parë, kishte në fokus moshën e tretë. Nëpërmjet veprimtarive të ndryshme, të realizuar nga vullnetarët e Kryqit të Kuq në mbarë botën kërkohej të tregohej, ashtu siç dhe është në realitet, një imazh pozitiv mbi plakjen, me qëllim që t’i shikojmë të moshuarit si një burim i rëndësishëm për shoqërinë si dhe të inkurajoheshin të moshuarit për tu vetë-fuqizuar, nëpërmjet përfshirjes së tyre në shoqëri, duke qenë aktorë të rëndësishëm dhe jo vetëm si përfitues.
“Ndihma e parë dhe mosha e tretë. Bëhu hero, shpëto jetë. Kushdo, në çdo kohë mund ta japë atë”.
Të moshuarit mund të jenë dhe ata heronj, dhe të mbështesin shokët, nipërit, mbesat e tyre dhe këdo që mund të ketë nevojë.
Në degët e Kryqit të Kuq Shqiptar, u zhvilluan veprimtari të shumta nga vullnetarët dhe instruktorët e Ndihmës së Parë, në ambiente publike që kishin si synim sensibilizimin e komunitetit mbi mënyrën dhe teknikat e dhënies së ndihmës së parë në situata të ndryshme aksidentesh si dhe orientimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Të gjitha veprimtaritë e zhvilluara, në mënyrë të veçantë për moshën e tretë, u alternuan me atë çfarë kjo moshë do të mund të realizonte në praktikë. Kështu që në disa degë, krahas veprimtarive kryesore, nga vullnetarët u zhvilluan demonstrime që kishin në qendër kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit, ndërkohë që ekipet e projektit të Telemjeksisë, ofruan vizita mjekësore falas për moshën e tretë.
Në degën Tiranë u ngrit një çadër dhe sëbashku me ekipin e Bankës së Gjakut, ftuan komunitetin për të dhuruar gjak. Si pjesë e programit të Rinisë, një grupi madh vullnetarësh, zhvilloi një marshim me biçikleta, në bashkëpunim me Eco Volis, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Të gjitha këto aktivitete theksuan rëndësinë që ka Ndihma e Parë, e cila është themelore dhe vendimtare në momentet fillestare të rrezikut për jetë. Është kjo arsyeja që ajo duhet të jepet vetëm nga persona të trajnuar, të cilët i njohin teknikat e dhënies së ndihmës së parë.
Programi i Ndihmës së parë