Komunikatë: Kryqi i Kuq Shqiptar ndjek me vëmendje situatën e rënduar të emigrantëve

Kryqi i Kuq Shqiptar ndjek me vëmendje situatën e vështirë që po kalojnë shtete fqinje të Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë si pasojë e krizës së azil kërkuesve drejt Evropës, por dhe rastet e veçuara që ka pasur vendi ynë.

Përkujdesi për njerëzit në nevojë është pjesë e mandatit të Kryqit të Kuq. Është fakt se në të gjitha vendet e prekura nga kriza emigratore, si ato të origjinës ashtu dhe në ato tranzitë apo objektivë për tu arritur, shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, ndjekin me vëmendje situatën dhe japin ndihmën tyre konkrete në lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve në nevojë.

Institucionet kryesore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Federata ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK) dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), bazuar në mandatin e tyre kanë dhënë ndihmë konkrete ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet shoqatave kombëtare. Rasti më i fundit është mbështetja e aksionit humanitar të Shoqatave të Kryqit të Kuq të Italisë, Greqisë, Maqedonisë nëpërmjet Fondit për ndihmë për emergjencat të FNKK, ka bërë të mundur ndihmesën e mijëra emigrantëve, të detyruar për të lënë vendin e tyre që kanë mësy Evropën.

Kryqi i Kuq Shqiptar, është i gatshëm që në përputhje me situatën të japë ndihmën e tij konkrete në ndihmë të më nevojtarëve, në vend, si dhe në mbështetje të shoqatave si motra nëse do ta lyp nevoja. Rasti më i fundit i ndihmës konkrete është dhënia e 15 000 Euro ndihmë për Kryqin e Kuq Maqedonas në ndihmë të komunitetit të prekur nga përmbytjet në Tetovë.

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: