Prej shumë vitesh, kategoria e fëmijëve në vështirësi është konsideruar si një prioritet i punës së Kryqit ët Kuq Shqiptar, veçanërisht e Programit Social. Përvojat e fituara në zbatimin e projekteve sociale me fëmijët në vështirësi, ka kërkuar rikonceptimin e mbështetjes për fëmijët në nevojë, që krahas mbështetjes për arsimimin e tyre, apo asaj ekonomike për familjet, të gjendeshin hapësira për veprimtari integruese që kanë një ndikim të rëndësishëm mbi zhvillimin psiko-social të fëmijëve.
Sot, mbështetja social-edukative e fëmijëve nuk mund të konsiderohet e plotë, pa përfshirjen e tyre në aktivitetet argëtuese dhe krijuese, siç mund të jenë një kampet verore. Për shumë vite, KKSH ka organizuar kampe verore për fëmijët më në nevojë, në degë të të ndryshme të vendit. Këtë vit, kjo veprimtari do të zhvillohet kryesisht në muajin korrik, me mbështetjen financiare të World Vision. Kampi do të sjellë së bashku 600 fëmijë të moshave 7-14 vjeç të ndarë sipas zonave të përzgjedhura, respektivisht në degën e KK Lezhë 200 fëmijë, Dibër 200 fëmijë, Laç 100 fëmijë dhe Librazhd 100 fëmijë.
Për cdo ditë të kampit është hartuar një program i detajuar ku përveç argëtimit fëmijët do të marrin informacione dhe njohuri mbi tema të ndryshme dhe të rëndësishme për ta si: të drejtat dhe mbrojtja e fëmijëve; bashkëpunimi dhe respekti në diversitet; miqësia dhe rëndësia e marrëdhënieve të shëndetshme; fuqia e komunikimit; higjiena personale dhe higjiena ne komunitet; rregullat e qarkullimit rrugor dhe teknika të thjeshta të dhënies së Ndihmës së Parë etj.
Ndërkohë me mbështetje të burimeve të vetë degës të tilla kampe po zhvillohen dhe nga Dega e Kryqit të Kuq, Tiranë dhe Korçë.