KRYQI I KUQ NË SHQIPËRI DERI NË PRAG TË THEMELIMIT TË KRYQIT TË KUQ SHQIPTAR
Prezenca e parë e Kryqit të Kuq në Shqipëri është në luftërat ballkanike dhe në Luftën e I Botërore.
Janë ekipet ndihmëse të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive respektive, të ardhura në Shqipëri që krahas misionit të tyre për t’i ardhur në ndihmë ushtarit të plagosur në fushën e betejës, do të organizonin përkujdesje mjekësore dhe sociale për popullsinë vendase.
Pikërisht këto ekipe do të ishin dhe prezantimi i parë i emblemave respektive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuq me popullsinë vendase.
Krahas shërbimeve mjekësore të ushtrive respektive pjesëmarrëse në luftë, në fillim të këtij shekulli do të kemi dhe një mision të mirëfilltë të Kryqit të Kuq Zviceran i cili vendoset në Durrës dhe zhvillon veprimtarinë e tij në ndihmë të më nevojtarëve.
Në periudhën e Princ Vidit, krahas përpjekjeve për të organizuar shërbimin shëndetësor në vend, do të kemi jo vetëm një prezencë të shoqatave të huaja të Kryqit të Kuq, por dhe tentativën e parë për të krijuar shoqatën vendase të Kryqit të Kuq.
Një prezencë e tillë e shërbimeve të ushtrive respektive do të vazhdonte dhe gjatë Luftës I-rë Botërore.