KRYQI I KUQ AMERIKAN NË SHQIPËRI NË VITIN 1919

Kryqi i Kuq Amerikan, për herë të parë, e filloi punën e tij në Shqipëri pas kaosit të Luftës së Parë Botërore. Në vizitën e bërë në Shqipëri në vitin 1919, përfaqësues të Kryqit të Kuq Amerikan  konstatuan nevoja imediate për shërbim mjekësor, strehë për fëmijët jetimë, shkolla, dhe institucione humanitare, etj.

Ata e filluan punën menjëherë me ngritjen e dispanserive dhe me vizita mjekësore, shërbime të ndihmës qytetare dhe ngritjen e spitaleve në gjashtë prej qyteteve më të mëdha të vendit. Në  bashkëpunim me spitalin e Tiranës, u ngrit një shkollë trajnimi për ndihmës-infermiere, e para e këtij lloji në Shqipëri. Për banorët në nevojë u shpërndanë veshje, ushqime dhe pajisje të tjera. Në bashkëpunim me mjekët dhe infermierët shqiptarë, Kryqi i Kuq Amerikan ngriti katër qendra shëndetësore për fëmijë. Qindra nëna sillnin fëmijët e tyre në këto klinika ku laheshin nga infermieret e Kryqit të Kuq, vizitoheshin nga mjeku dhe visheshin me rroba të sjella nga Shtetet e Bashkuara.



Tërmetet e forta në Elbasan dhe Tepelenë shkatërruan fshatra të tëra dhe dëmtuan mjaft popullatën duke ndikuar për keq sidomos në shëndetin e fëmijëve. Në qendrat e ushqimit të Kryqit të Kuq Amerikan morën ushqim rreth njëmijë persona për një periudhë nëntë mujore.

Nga Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve u ngrit “Shkolla e pastërtisë e fëmijëve në Shkodër” në të cilën zbatoheshin në mënyrë rigoroze rregullat e higjienës. Këto qendra shërbenin dhe si pika takimi për nënat me foshnje që mblidheshin e diskutonin për problemet e tyre dhe të fëmijëve.

Duke parë etjen për arsim të fëmijëve dhe të prindërve të tyre, Kryqi i Kuq Amerikan mblodhi fonde në SHBA për të ngritur shkolla në zonat e thella të vendit. Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve organizoi trajnimet e mësuesve të parë si dhe ofroi ndihma materiale e financiare për këto shkolla. Një shkolle e tillë është ajo e ngritur ne Theth në vitin 1920.

Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve mori përsipër riorganizimin e disa shkollave duke bërë dhe trajnimin e mësueseve shqiptar. Nën drejtimin e mësuesve amerikane, u krijua shkolla e parë teknike në vend, (sot shkolla “Harry Fultz”) që Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjëve vazhdoi ta mbështeste deri më 1933. Në këtë shkollë ofroheshin trajnime për djem në fusha të ndryshme si studime akademike, trajnime profesionale dhe njohuri mbi bujqësinë.


Kryqi i Kuq Shqiptar u themelua më 1921, me mbështetjen dhe inkurajimin e Kryqit të Kuq Amerikan. Që me krijimin e KKSH e deri në vitin 1946, të dy shoqatat bashkëpunuan në mënyrë të vazhdueshme në shumë fusha të veprimtarisë humanitare. Këto marrëdhënie u rivendosën me riorganizimin e Kryqit të Kuq Shqiptar në vitin 1989. Në pranverën e vitit 1999, Kryqi i Kuq Amerikan dërgoi 18 përfaqësues të tij në kampet e refugjatëve kosovarë në Shqipëri dhe Maqedoni, për të asistuar në gjetjen e personave të  humbur dhe në ribashkimin e familjeve.

Fenomeni i emigrimit në vite, Lufta e Dytë Botërore, emigrimi i disidentëve politikë gjatë sistemit komunist, kaosi i vitit 1997 dhe trafikimi i qenieve njerëzore, e bënë të nevojshme forcimin e “Zyrës së Kërkimit” të Kryqit të Kuq Shqiptar, që u realizua me mbështetjen financiare dhe asistencën teknike të Kryqit të Kuq Amerikan.

Në vitet 1999-2001, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe ai Amerikan zbatuan projektin “Ndihmë për të moshuarit” që kishte si qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të moshuarit nëpërmjet mbështetjes ushqimore të tyre. Gjatë dimrit të vitit 2001 u shpërndanë ndihma ushqimore për 30,000 të moshuar në 8 rrethe veriore të vendit. (Malësi e Madhe, Shkodër, Mat, Dibër, Bulqizë, Lezhë, Mirditë dhe Pukë). Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shoqatave janë zbatuar me mjaft suksese projektet “Fushata e vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit dhe rubeolës” dhe “Mbijetesa e  fëmijëve” në Prefekturën e Dibrës, etj

Ndajeni me miqte tuaj: