Në dhjetëvjetorin e saj, organizimi i Akademisë së Kryqit të Kuq Bullgarë për të rinjtë, e zhvilluar me tematikën : “Parimet tona themelore në veprim”, mblodhi 100 vullnetarë të Kryqit të Kuq Bullgarë dhe të ftuar vullnetarë nga Kryqi i Kuq i Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnje & Hercegovinës, Kroacisë, Rumanisë dhe Danimarkës.
Të ftuarit nga shoqatat simotra së bashku me gjashtë vullnetarë të KK Bullgar, për tri ditë me radhë ndoqën së bashku kursin 3 ditor “YouLead”, që kishte për qëllim edukimin mbi lidershipin dhe menaxhimin e vullnetarëve. Kursi u drejtua nga Delegati i Rinisë për Evropën në FNKK dhe Presidentja e Kryqit të Kuq Rinor, Bullgar.
Ndërkohë që për tri ditë të tjera, së bashku me të gjithë pjesëmarrësit në këtë akademi, morën pjesë në workshope të ndryshme që kishin synim përqasja ndaj Parimeve themelore të Lëvizjes dhe respektimi i tyre në situata të ndryshme.
Vlera e pjesëmarrjes në këtë akademi të përfaqësuesve të KKSH, Cristian Cura dhe Ermioni Çeliku qëndron në njohjen e eksperiencave të suksesshme të shoqatave të tjera kombëtare si edhe mundësia e përshtatjes së tyre në vendin tonë. Lidhjet e krijuara me të gjithë vullnetarët, por në veçanti me vullnetarët nga vendet e Ballkanit Qendror dhe Perëndimor, do të shërbejnë për të pasur edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen në të mirë të punës në ndihmë të komunitetit.