“Nuk keni nevojë për leje për të shpëtuar jetë! Mësoni si jepet Ndihma e Parë!
Data 8 shtator 2018 është Dita Botërore e Ndihmës së Parë. Ajo kremtohet në mbarë botën, veçanërisht nga Shoqatat e KK dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, në veprimtarinë e të cilave dhënia e Ndihmës së Parë është një nga veprimtaritë kryesore.
Moto e veprimtarive që zhvillohen këtë vit në Ditën Botërore të Ndihmës së Parë është : “Nuk keni nevojë për leje për të shpëtuar jetë! Mësoni si jepet Ndihma e Parë!” dhe i kushtohet aksidenteve rrugore, sepse plagosjet nga aksidentet rrugore prekin më shumë se 1.34 milion jetë njerëz çdo vit dhe kanë një impakt mjaft të madh në shëndetin dhe zhvillim e një vendi. Aksidentet janë shkaku kryesor i vdekjeve në njerëz në moshat nga 15 në 29 vjeç.
Vendet me të ardhura të pakta dhe mesatare janë vendet e prekura më shumë nga aksidentet ku numri i vdekjeve është dy herë më i lartë se vendet e zhvilluara. Vdekjet nga aksidentet rrugore zënë vendin e 9, ose rreth 2.2% të të gjitha vdekjeve në nivel global, me tendencë për të zënë vendin e shtatë në vitin 2030.
Pikërisht më 8 Shtator, Kryqi i Kuq Shqiptar do të zhvillojë Konkursin e XX Kombëtar të Ndihmës së Parë, tashmë një veprimtari jo vetë tradicionale e tij, por dhe një vlerë e shtuar e shoqatës që e prezanton atë denjësisht përballë institucioneve dhe komunitetit në përgjithësi.
Rreziqet në raste aksidentesh nuk mund të eliminohen tërësisht, por ka mënyra për t’i reduktuar ato apo për t’u dhënë njerëzve të plagosur mundësinë për të mbijetuar. Për këtë, ne të gjithë duhet të mësojmë sesi të japim Ndihmën e Parë – ajo shpëton jetë!
Konkursi do të organizohet duke nisur nga orën 9.00 deri në orën 18.00 në Sheshin “Skënderbej”, në hapësirat e Pedonales dhe të Parkut Rinia. Në konkurs marrin pjesë 38 ekipe që përfaqësojnë degët e KK në mbarë vendin.
Konkursi zhvillohet në përputhje me formatit dhe standardet e Konkursit Europian të Ndihmës së Parë, pjesë e të cilit është dhe Kryqi i Kuq Shqiptar. Çdo ekip përbëhet nga 6 persona, një lider dhe 5 vullnetarë, të cilët janë trajnuar sipas metodës “learning by doing”, për njohuritë e Ndihmës së Parë dhe teknikat e dhënies së NP, njohuri që do të testohen në 8 stacione simulimi për situata të ndryshme aksidenti.
Në të do të marrin pjesë rreth 350 persona, staf dhe vullnetarë të KKSH me uniforma dhe bazë materiale të nevojshme.
Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet të sensibilizohet dhe ndërgjegjësohet komuniteti, për rrezikun nga aksidentet, respektimin e rregullave të qarkullimit nga shoferët dhe publiku në përgjithësi dhe mënyra si të japim Ndihëm e Parë në çdo rrethanë që mund të ndodhemi.
Mësoni si të jepni Ndihmën e Parë.
Të mësosh si të japësh ndihmën e parë, është diçka e shpejtë, dhe mund të bëj ndryshimin ndërmjet jetës dhe vdekjes për një të dashurin tuaj apo dhe për një të panjohur.
Kryqi i Kuq Shqiptar