Nga historia e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe – Krijimi i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe
Një nga rrjedhojat e Traktatit të Versajës – Federimi i Kryqit të Kuq në vitin 1919
Saktësisht 100 vjet më parë, në një nga sallonet e rënda të një ndërtese parisiane, Hotel Regina, Kryqi i Kuq amerikan, britanik, francez, italian dhe japonez themeluan më 5 maj 1919, Ligën e Shoqatave të Kryqit të Kuq.
Objektivi i Ligës ishte të forcohej koordinimi dhe kapacitetet e bashkëpunimit ndërmjet shoqatave kombëtare të ndihmës, një pjesë e mirë e të cilave nën ndikimin e Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), patën një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Parë Botërore; për shembull në dërgesën e pakove në ndihmë të miliona ushtarëve të kapur robër. Gjithashtu, kërkohej një vlerësim më i mirë i potencialeve të ndihmës dhe të asistencës që përfaqësojnë në kohë paqe këto shoqata ndihme (katastrofa natyrore, epidemi, etj.)
Presidenti i parë i Ligës ishte Henry Davidson, bankier, që ashtu si dhe pasardhësit e tij (pa ndërprerje deri në vitin 1944) ishte amerikan.
Krijimi i “Kryqit të Kuq në kohë Paqe” erdhi si një rrjedhojë e Traktatit të Versajës (28 qershor 1919). Në fakt, disa javë më parë, në një pallat tjetër parisien, në pallatin Crillon, shumë afër me Reginën, diplomatët, të mbështetur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Wilson Woodrow, punuan në hartimin e një pakti, atë të krijimit të Shoqërisë së Kombeve (nga shkurti deri në prill 1919); e famshmja Shoqëria e Kombeve, paraardhësja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 25 i këtij traktati rregullon përgjegjësinë e Shteteve anëtare kundrejt Ligës së Shoqatave të Kryqit të Kuq: Anëtarët e Shoqatës (së Kombeve) angazhohen që të inkurajojnë dhe favorizojnë ngritjen dhe bashkëpunimi e organizatave vullnetare kombëtare të Kryqit të Kuq, të autorizuara rregullisht, që kanë për objekt përmirësimin e shëndetit, të mbrojtjes preventive ndaj sëmundjeve dhe zbutjen e dhembjes në botë”.
Një zviceran, William Rappard, sipas thënieve të një gjenevezi, luajti një rol përcaktues në krijimin e “Kryqit të Kuq në kohë paqe”. Përfaqësues zyrtar i Zvicrës në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ai bëri gjithçka që selia e Ligës së Shoqatave të Kryqit të Kuq të jetë në Gjenevë ashtu siç dhe është, ashtu siç neutraliteti detyron KNKK që të ndodhet këtu prej vitit 1863.
Pozita e Rappard është mjaft origjinale sepse ai mbante në të njëjtën kohë funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës (1919-1920) dhe atë të anëtarit të Asamblesë së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (1917-1920, instanca më e lartë e këtij institucioni!
Duket se Gustav Ador, Presidenti i KNKK (1910-1928) dhe Presidenti i Konfederatës zvicerane (!) nuk e pëlqente aspak të riun ambicioz Rappard…
Sidoqoftë, humanizmi në botë i detyrohet shumë Ligës, që më vonë do të bëhej Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Foto 1: “Në hotel Regina – 5 maj 1919. Shoqatat e Kryqit të Kuq të Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë themeluan Ligën e shoqatave të Kryqit të Kuq, që do të bëhej Federata ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe” Foto: Frederic Joli
Foto 2: KNKK në vitin 1919. Në të majtë, Presidenti i KNKK (dhe i Konfederatës zvicerane). I dyti nga e djathta, William Rappard, anëtar i KNKK dhe sekretar i përgjithshëm i Ligës.