Që prej vitit 2021, Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndërmarrë një nismë për të forcuar kapacitetet e vullnetarëve të tj në Ndihmën e Parë të Avancuar. Ky projekt i shërben, jo vetëm shoqatës sonë, por edhe rrit në mënyrë domethënëse dhe të qendrueshme sigurinë e komuniteteve tona, sidomos në raste katastrofash. Tashmë në 9 degë të mëdha KKSH ka skuadra të përgatitura me këto njohuri, por sfida jonë është përfshirja edhe e degëve të tjera. Pikërisht për këtë qëllim, javën e parë të muajit qershor u zhvillua trajnimi i Ndihmës së Parë të Avancuar me 7 degët: Librazhd, Lushnje, Kavajë, Dibër, Berat, Kucovë dhe Gjirokastër.
Trajnimi u zhvillua në Tiranë me ekspertizën e përhershme të trajnerit nga Kryqi i Kuq Austriak dhe trajnerëve të Selisë së KKSH, të cilët ndoqën hap pas hapi nivelin e njohurive të fituara nga vullnetarët e degëve. Këta vullnetarë janë instruktorë, bashkpunëtorë, studentë dhe kampionë të ndihmës së parë. Ata kishin përfaqësuar më parë degët e tyre në simulime dhe konkurse të ndihmës së parë, dhe tashmë ishte momenti që të çonin më tej njohuritë e tyre në Ndihmën e Parë të Avancuar. Jo vetëm kaq, por mësuan se si të besojnë te fuqia e punës në grup në raste emergjencash dhe se si të menaxhojnë stresin përballë katastrofave të ndryshme.
Bashkëpunimi i tyre gjatë 10 ditëve të trajnimit ishte për t’u admiruar. Secili me individualitetin e tij solli një klimë ndryshe në trajnim. Herë të motivuar e herë të keqardhur pas situatave sfiduese, këta vullnetarë nuk reshtën së besuari në vete. Ndonjëherë mund t’i gjeje në sallën e trajnimit edhe në orët e vona të natës duke studiuar pajisjet, manovrat e reja, duke provuar qaforen dhe duke transportuar njëri-tjetrin me barrelë. Qershia mbi tortë ishin dy ditët e fundit kur ata mësuan mbi aksidentet masive, triazhin, transportin dhe trajtimin sipas prioriteteve të vendosura. Vëmendja ishte maksimale kur dëgjonin nivelet e komandës në incidente apo detyrat e tyre specifike. Emocionet prekën majat kur ata vendosën helmetat e shpëtimit dhe u futën në situatat surprizë të simuluara nga vullnetarët e degës Tiranë.
Ja disa nga përshtypjet e tyre:
- “Mësuam shumë gjëra të reja që nuk do më kishte shkuar mendja se do t’i mësoja ndonjëherë kaq herët! Dhe mund të them me plotë gojë që ishte një nga eksperiencat më të bukura për mua ku, përvec teknikave dhe mësimeve të reja që morëm, përfituam një grup shumë të madh shoqëror që uroj me gjithë shpirt t’a ruajmë dhe t’a respektojmë gjithmonë!” – Aleksandra Brami, vullnetare e degës Kuçovë.
- “Ishte një nga trajnimet më të bukura ku unë kam marë pjesë. Falë një grupi energjik të cilët i falenderoj të gjithë. Ishit fantastikë! Shpresoj të ritakohemi në trajnime të tjera.” – Marsel Olldashi, instruktor i degës Berat.
- “Jam e sigurt që nuk jam as e para dhe as e fundit që do të them që kjo eksperiencë ishte me të vërtetë e paparë. Çdokush i sillte një energji pozitive skuadrës sidomos trajnerët tanë që na motivonin çdo ditë.” – Dea Këmbora, vullnetare e degës Lushnje.
- “Tani kam besim që mund të marr përgjegjësinë e një trajneri të ndihmës së parë të avancuar. Është e mrekullueshme të shohësh se disa njerëz ende e dinë se cili është ekuilibri i përsosur midis trajnimit informues, tërheqës dhe të këndshëm.” – Suela Mazari, vullnetare e degës Dibër.
Pas shumë provash më në fund ata arritën të fitonin titullin ‘Trajner’ në Ndihmën e Parë të Avancuar. Jemi të bindur se kur të trajnojn skuadrat e qyteteve të tyre do të përcjellin më së miri të gjitha njohuritë e fituara, dhe do të jenë modele pozitive për komunitetet e tyre.