100 vjet – Kryqi i Kuq Shqiptar. Një shekull në shërbim të më nevojtarëve.

Më 4 Tetor u mbushën 100 vjet nga themelimi i Kryqit të Kuq Shqiptar. Pikërisht në kujtim të këtij përvjetori, vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar nga i gjithë vendi zhvuilluan më datën 2 tetor, në hapësirat përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Konkursin XXII Kombëtar të Ndihmës së Parë. Në mbrëmjen e datës 2 Tetor në Pallatin e Brigadave u organizua një koncert festivë me pjesëmarrjen e të ftuarve dhe të vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar. Presidenti i Republikës zoti Ilir Meta dekoroi Kryqin e Kuq Shqitar me medaljen “Nderi i Kombit” për kontirbutin e tij në ndihmë të më nevojtarëve. Dhe veprimtaritë në këtë përvjetor të rëndësishëm vazhduan me çeljen më 4 Tetor të Muzeut të Kryqit të Kuq Shqiptar. Z. Francesco Rocca, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ishte i ftuari i nderit në këto veprimtari.
100 vjet më parë, në vitin 1921, u themelua në Tiranë Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH). Janë pikërisht intelektualët e asaj kohe, në mes të të cilëve përmendim Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Rauf Fico, Sejfi Vllamasi, Ali Këcyra, Kristo Dako, etj. që morën iniciativën për krijimin e kësaj shoqate aq të nevojshme në atë kohë, , ku mungesa e shtetit dhe lufta e parë botërore kishin shkaktuar më tepër mjerim se kudo tjetër. Kryetar i parë i KKSH ishte Dr. Rifat Frashëri, një mjek me mjaft emër në atë kohë dhe një nga krijuesit e mjekësisë shqiptare dhe Drejtor i Përgjithshëm Dr. Ahmet Sadedini.
KKSH është anëtare e Lëvizjes më të madhe humanitare në botë. Sot kjo lëvizje numëron 192 shoqata të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Ky numër kaq i madh shoqatash, bën që Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të jetë rrjeti më i gjerë humanitar në botë, me mbi 17 milion vullnetarë në gjirin e saj, të cilët japin kontributin e tyre humanitar në ndihmë të njerëzve më në nevojë, në situata konflikti të armatosur, apo dhe në jetën e përditshme.
Ndryshimet politike të fund viteve 90, do të sillnin ndër të parat ndryshime, rikthimin e veprimtarisë së KKSH. Shumë shpejt, strukturat qendrore të Lëvizjes ndërkombëtare do të viheshin në kontakt me drejtuesit e KKSH, për të sjellë ndryshimet nevojshme në shoqatë, për ta bërë atë, një shoqatë vërtetë në ndihmë të njerëzve në nevojë të të moshuarve, grave apo fëmijëve, në fushën e ndihmës së parë apo atë të dhurimit vullnetar të gjakut, duke ndikuar në ndryshimin e mentalitetit të njerëzve për iniciativat humanitare, por dhe në zgjidhjen apo zbutjen e problemeve në vend.
Është e rëndësishme të theksojmë se KKSH, është sot një organizatë e strukturuar mjaft mirë, me një bazë të shëndoshë ligjore dhe dokumentare mbi të cilën bazohet veprimtaria e saj, tërësisht e pavarur në vendimmarrje, por dhe një ndihmëse e pushtetit për çështje humanitare.
Kryqi i Kuq Shqiptar gëzon sot, respektin e strukturave më të larta të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, të autoriteteve të vendit, dhe mbi të gjithë të njerëzve të thjeshtë që shohin te Kryqi i Kuq një aleat të tyre në momente të vështira.
Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: