Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK) u themelua në vitin 1919 në Paris, fill pas Luftës së Parë Botërore. Lufta kishte treguar nevojën për një bashkëpunim të ngushtë mes Shoqatave të Kryqit të Kuq, të cilat nëpërmjet veprimtarisë së tyre humanitare në emër të të burgosurve të luftës dhe luftëtarëve, kishin tërhequr miliona vullnetarë dhe kishin krijuar një eksperiencë mjaft të madhe. Një Evropë e shkatërruar nuk mund të pranonte që të anashkalonte apo të humbiste një mundësi të tillë veprimi.
Ishte Henry Davison, presidenti i Komitetit të Luftës së Kryqit të Kuq Amerikan, i cili propozoi formimin e një federate të Shoqatave Kombëtare të krijuara deri në atë kohë. Një konferencë mjekësore ndërkombëtare e iniciuar nga Davison ka rezultuar të jetë dhe djepi i lindjes së Ligës së Shoqatave të Kryqit të Kuq, e cila do të emërtohej në tetor 1983 Liga e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe më pas në nëntor 1991, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqëritë e Gjysmëhënës së Kuqe.
Objektivi i parë i FNKK&GjK ishte përmirësimi i shëndetit të njerëzve në vendet që kishin pësuar më shumë dëme gjatë katër viteve të luftës. Qëllimet e saj ishte “të forcojë dhe të bashkojë Shoqatat ekzistuese të Kryqit të Kuq në veprimtaritë në fushën e shëndetit, dhe të promovojë krijimin e shoqatave të reja”
Pesë ishin shoqatat themeluese të Ligës së Shoqatave të Kryqit të Kuq : Britania, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Në vite ky numër është rritur dhe tani janë 190 Shoqata Kombëtare të njohura – pothuajse një në çdo vend në botë.
Lindja e një ideje
Ideja e Kryqit të Kuq lind në vitin 1859, kur Henry Dunant, një djalosh zviceran, u ndodh në një nga betejat më të përgjakshme në Solferino të Italisë, që zhvillohej ndërmjet ushtrive të Austrisë perandorake dhe aleancës franko-sarde. Rreth 40,000 njerëz u vranë ose gjetën vdekjen në fushë betejë, ndërkohë që të plagosurit vuanin mungesën e përkujdesjes mjekësore.
Dunant organizoi banorët vendas për të lidhur plagët e ushtarëve, për t’i ushqyer dhe për t’i ngushëlluar për fatin e keq të tyre. Pas kthimit të tij nga kjo fushë betejë, ai bëri thirrje për krijimin e shoqatave kombëtare të ndihmës për të plagosurit në luftë, duke vendosur dhe piketat e para të Konventave të ardhshme të Gjenevës.
“A nuk do të kishte ndonjë mënyrë a mjet që në kohë paqeje dhe qetësie, për të formuar shoqata të ndihmës, objekt i të cilave do të ishin përkujdesja e të plagosurve në kohë lufte nga vullnetarë entuziastë, të përkushtuar plotësisht për këtë detyrë?” do të shkruante ai.
Kryqi i Kuq u lind në vitin 1863, kur pesë burra të Gjenevës, përfshirë Dunant, krijuan Komitetin ndërkombëtar për ndihmën ndaj të plagosurve, që më vonë të quhej Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Emblema e tij do të ishte një kryq i kuq mbi një sfond të bardhë: e anasjellta e flamurit zviceran. Një vit më pas, 12 qeveri miratuan Konventën e parë të Gjenevës; një moment historik në historinë e njerëzimit, duke ofruar kështu kujdes për të plagosurit dhe duke përcaktuar shërbimet mjekësore si “neutrale” në fushën e betejës.