(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Veprimtari të shumta të Kryqit të Kuq Shqiptar me rastin e 8 Majit – Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe


 

Është kthyer tashmë në traditë, kremtimi i 8 Majit – Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe nga degët e Kryqit të Kuq në të gjithë vendin.

Ndërkohë që në Tiranë, që në Muzeun Historik Kombëtar çelet Ekspozita XXIII Kombëtare “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” dhe në Parkun e madh të liqenit zhvillohej Konkursi i Ndihmës së parë, Tirana 2019, në Durrës vullnetarët e degës zhvilluan një veprimtari të gjerë për promovimin e vlerave humanitare të Kryqit të Kuq, shoqëruar me veprimtari të Ndihmës së Parë në shkollën “Jusuf Ferra”. Vullnetarët e Degës së KK Dibër e kishin menduar ta kalonin këtë ditë me të moshuarit në klubin e tyre.

Vullnetarët e Degës së KK Fier i dhanë ngjyra 8 Majit, me një sërë veprimtarish si demonstrim të teknikave të dhënies së NP me nxënësit e shkollave, aksion higjienizimi dhe mbledhje fondesh; ndërkohë që në degën e KK Vlorë kjo ditë e shënuar kishte si protagonistë vullnetarët e Programit të Rinisë dhe Edukimit Humanitar të cilët duke shpërndarë fletëpalosje promovuan vlerat e Kryqit të Kuq në komunitet, ç’ka u shoqërua dhe me veprimtari të tjera si zhvillimi i seancave informuese rreth higjienës personale me nxënësit e ciklit te ulët, por dhe zhvillimin e seancave informuese substancat që krijojnë varësi, si droga, duhani, alkooli.

Vullnetarët e Degës së KK Laç kishin menduar që të organizonin në sheshin para Pallatit të Kulturës veprimtari sensibilizuese duke demonstruar teknika të dhënies së ndihmës së parë, ndërsa Dega e KK Librazhd hapi dyert për të gjithë dashamirësit e saj ndërkohë që vullnetarët e saj organizuan aksion të gjerë higjienizimi dhe shpërndarje të materialeve informative për publikun e gjerë.
Edhe Degët e KK Korçë dhe Elbasan kishin hapur dyert për anëtarët, vullnetarët dhe dashamirësit duke organizuar takime informative mbi veprimtaritë që Kryqi i Kuq realizon në ndihmë të më nevojtarëve.

Ndajeni me miqte tuaj: