(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 56

Revista_56_Kopertina

Të dashur miq të Revistës,

Është më se e natyrshme që Revista t’u kushtojë vëmendje çështjeve të ndryshme sociale, të cilat në një mënyrë ose tjetër, kërkojnë vëmendjen dhe ndërhyrjen e Kryqit të Kuq. Ky numër përqendrohet te një fenomen që prej pesë vitesh ka goditur keqaz botën dhe në veçanti Europën: kriza ekonomike. Një temë e tillë është sigurisht mjaft e gjerë, trajtimi i saj nuk mund të pretendohet të jetë kurrë i plotë, aq më pak në faqet e botimit tonë modest. Mirëpo nuk mund të mos i falnim pak vëmendje këtij problemi kaq të madh të kohës sonë, problem që lidhet drejtpërsëdrejti me fatin e miliona njerëzve në nevojë. “Kriza ekonomike” na ka interesuar ta shohim në ndikimin që ajo ka pasur dhe ka në rritjen e vulnerabiliteteve dhe si pasojë, edhe në rishikimin e qasjeve dhe të strategjive të shoqatave të ndryshme kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të Europës, në lidhje me rrjedhojat humanitare të saj mbi njerëzit.

Materialet që përmban ky numër janë publikime të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Në qendër të tyre gjendet një studim i nisur në vitin 2009 dhe me konkluzione të fillimit të 2013-s, i cili pasi përmbledh shifra dhe fakte që vijnë prej ndikimit të krizës ekonomike në jetën e komuniteteve të ndryshme, tregon edhe mobilizimin e shoqatave kombëtare në përballimin e nevojave gjithnjë në rritje, duke iu kthyer nganjëherë, atyre aktiviteteve që shoqatat perëndimore i kishin “braktisur” dikur në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Ideja është “për të kuptuar më mirë se si rënia ekonomike ka ndikuar në nivel shtetesh, komunitetesh dhe familjesh, por dhe gjithashtu për të kuptuar se si kapacitetet e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe iu përshtaten sfidave të reja dhe sfidave ekzistuese (të cilat marrin përmasa më të mëdha në kohë krize)”.

Në një opinion të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës, Bekele Geleta jepet që në titull paradoksi i kohëve moderne me fenomenin e polarizimit të shoqërisë: “Uria në një botë bollëku”. Dhe në vazhdim do të gjeni një fjalim të mbajtur në sesionin e 25-të të Bordit Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, nga J. Brian Atwood, president i Komitetit të Ndihmës për Zhvillim i OCDE-së dhe ish-administrator i Agjencisë amerikane për zhvillimin ndërkombëtar (USAID), për të pasur një analizë nga një ekspert jashtë Lëvizjes, në lidhje me krizën dhe pasojat e saj humanitare.

Në fund pasqyrohen projektet kryesore sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar me rezultatet konkrete për periudhën që mbulon ky numër i Revistës.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: