(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 55

Revista 55 - kopertina

Të dashur miq të Revistës,

Zakonisht janë të paktë njerëzit që e njohin “lidhjen” e Kryqit të Kuq me luftën. Një nga drejtimet e punës për përhapjen e vlerave humanitare të Kryqit të Kuq, konsiston në promovimin e historisë së tij. Dhe gjithashtu në promovimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Të gjitha këto të çojnë në atë kontribut special që Kryqi i Kuq ka për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut edhe gjatë konflikteve të armatosura. Artikulli i presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar prof.dr.Shyqyri Subashit e vë theksin në këtë aspekt të veprimtarisë së Kryqit të Kuq, duke nënvizuar se sot e drejta ndërkombëtare humanitare që lindi me shtysën e Kryqit të Kuq, mbron ata që nuk marrin pjesë direkt në një konflikt ose që kanë dalë jashtë luftimit për arsye sëmundjeje, plagosjeje ose burgosjeje.

Për ta plotësuar më mirë njohjen e Kryqit të Kuq si një Lëvizje humanitare me interesa të larmishme, në këtë numër do të gjeni një intervistë të presidentit të Federatës ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe z.Tadateru Konoé. Sfidat e së ardhmes për mbrojtjen e njerëzve më vulnerabël në kohë lufte apo paqeje, janë në qendër të shqetësimit humanitar të drejtuesit kryesor të njërës prej përbërësve të rëndësishme të Lëvizjes sonë.

Nuk do të mungojnë në këtë numër edhe rubrikat e njohura si ajo e shëndetit me një shpjegim mbi “epidemiologjine e hepatiteve virale”, apo rubrika tjetër që i kushtohet veprimtarisë së degëve ku kemi veçuar përkujtimin e 91 vjetorit të shoqatës sonë nga dega Kamzë.

Revista i kushton vëmendje edhe një projekti të ri të financuar me fonde të Bashkimit Europian, i cili rrit kontributin e Kryqit të Kuq Shqiptar për promovimin e dhurimit vullnetar e falas të gjakut.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: