(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 54

Revista_54_web_kopertina

Të dashur miq të Revistës,

Viti 2012 është i rëndësishëm për shoqatën tonë sepse në bazë të statutit, gjatë tij u mblodhën dy prej forumeve më të rëndësishme të saj: mbledhjet e anëtarëve në degë dhe Asambleja XIII e Përgjithshme. Ndërsa mbledhjet e anëtarëve u mbajtën në periudhën 15 mars – 25 maj 2012, Asambleja XIII e Përgjithshme i zhvilloi punimet më 29 qershor 2012 në Tiranë. Sipas Statutit te Kryqit të Kuq Shqiptar, Asambleja e Përgjithshme është organi me autoritetin më të lartë në Kryqin e Kuq Shqiptar dhe vendos për të gjitha çështjet e përfshira në rendin e ditës me propozim të Këshillit Drejtues. Vendimet e saj janë piketa për rrugën e zhvillimit dhe natyrën e veprimtarive që do të kryhen në dy vitet e ardhshme nga shoqata.

Ky numër i Revistës pasqyron ekluzivisht këtë ngjarje. Aty do të gjeni disa prej dokumenteve kryesore të paraqitura në Asamble. Kështu me disa shkurtime, do të mund të lexoni raportin e Presidentit mbi gjendjen e shoqatës, raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar për periudhën 2010 dhe 2011, raportin financiar për të njëjtën periudhë, një përmbledhjeve të raporteve të veprimtarisë së komisioneve statutore etj.

Asambleja i zhvilloi punimet sipas rendit të ditës të miratuar paraprakisht. Delegatët miratuan gjithashtu pa ndryshime, përmbledhjen e punimeve të Asamblesë së mëparshme dhe grupin e redaktimit të dokumenteve kryesore të asamblesë.

Në raportin mbi gjendjen e shoqatës, President Subashi deklaroi se “Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë që funksionon mirë, me gjithë vështirësitë e panumërta që ekzistojnë. Ai ka një imazh shumë pozitiv dhe bën përpjekje të vazhdueshme për t’u përsosur. Ai po zbaton mjaft programe dhe projekte në dobi të më nevojtarëve.”.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm z.Zamir Muça, mbi veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar për vitet 2010-2011, një përmbledhje e të cilit botohet gjithashtu në Revistë, pasqyron të gjitha veprimtaritë e shoqatës të realizuara në bazë të gjashtë qëllimeve strategjike të përcaktuara në Strategjinë e zhvillimit për vitet 2010-2015.Zëvendës presidenti z.Merzuk Hoxha informoi më pas delegatët për procesin e mbajtjes së mbledhjeve të anëtarëve në degë.

Një vend të rëndësishëm në punimet e asamblesë së përgjithshme zë raportimi financiar. Në këtë numër të Revistës ka një përmbledhje të raportit të mbajtur nga shefja e Departamentit të Administrimit znj.Elvetina Stillo. Në asamble u paraqitën gjithashtu edhe deklarimi i Komisionit të Financës për raportin financiar, deklarimi i opinionit të Kompanisë së Auditimit “KPMG” (auditi i jashtëm) për veprimtarinë financiare të shoqatës për vitet 2010, 2011 dhe raportimi i ekspertes kontabël të pavarur (auditi i brendshëm) për të njëjtën periudhë.

Plani i Veprimit me buxhetin e shoqatës për vitet 2012 dhe 2013, ishte një dokument tjetër i rëndësishëm që u paraqit nga Sekretari i Përgjithshëm dhe u miratua nga Asambleja XIII e Përgjithshme.

Më pas raportuan për veprimtarinë e komisioneve statutore, kryetarët e tyre, zj.Aleksandra Sula për Komisionin e Financës dhe z.Idriz Tali për Komisionin e Vrojtim Verifikimit.

Politikat për fushat e ndryshme të veprimtarisë së shoqatës, hartohen ose rishikohen rregullisht në Kryqin e Kuq Shqiptar prej Këshillit Drejtues dhe miratohen në Asamblenë e Përgjithshme. Listën e politikave të rishikuara nga Këshilli Drejtues, e paraqiti për miratim, kryetari i Komisionit të Politikave prof.dr.Seit Mancaku.

Në fund Asambleja shqyrtoi disa propozime të Këshillit Drejtues dhe çështje të tjera duke marrë dhe vendimet përkatëse.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: