(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 53

Kopertina

Të dashur miq të Revistës,

Zakonisht fillimet e vitit u kushtohen analizave të punës për ç’ka u la pas dhe planifikimeve për më tej. Këto janë procese të rëndësishme që kërkojnë kohë dhe përqendrim. Mirëpo moti vendosi ndryshe në këtë janar 2012 kur nga dëbora e madhe, u bllokuan me mijëra banorë në disa rrethe të zonave malore të vendit. Për një shoqatë humanitare si Kryqi i Kuq Shqiptar që përgatitjen dhe përgjigjen për raste katastrofash e ka program prioritar, ishte koha për veprim të menjëhershëm. Më shumë informacion për operacionin e ndihmave që u organizua për të ndihmuar njerëzit e mbetur pa ushqime dhe materiale të tjera jetësore, do të gjeni në shkrimin në brendësi të Revistës. Këtu duam thjesht të nënvizojmë mbështetjen e menjëhershme që Kryqi i Kuq Shqiptar pati nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe në përgjigje të apelit që ai lëshoi për ndihmë. Mbështetje u ofrua edhe nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga donatorët si fonadacioni Vodafone Albania dhe Kryqi i Kuq Gjerman, për të cilat është rasti për t’u shprehur mirënjohjen tonë dhe falenderimet në emër të përfituesve.

Por shkrimi kryesor i këtij numri lidhet me një element në dukje të thjeshtë. Sa njihet Kryqi i Kuq Shqiptar? Si perceptohet puna e një shoqate humanitare? Cilët janë mekanizmat që mundësojnë organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të saj? Janë këto disa nga çështjet që ka trajtuar në artikullin e tij presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar prof.dr. Shyqyri Subashi. Duke nënvizuar karakterin kombëtar dhe ndërkombëtar të shoqatës dhe mbështetjen në parimet themelore të Lëvizjes, presidenti nxjerr në pah disa nga elementët më specifikë që e bëjnë Kryqin e Kuq Shqiptar të veçantë në morinë e shoqatave dhe organizatave të tjera.

Revista i kushton vëmendje edhe një forumi të rëndësishëm statutor që mbahet këtë vit dhe që është mbledhja e anëtarëve të degëve. Në një artikull të zëvendës presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar z.Merzuk Hoxha, kërkohet që ky forum, më i larti i degës në pikëpamje vendimore, të kthehet në një analizë të vërtetë pune me qëllim përmirësimin e funksionimit të njësisë bazë të shoqatës siç është dega.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: