(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 52

Kopertina Rev 52

Të dashur miq të Revistës,

Nëse do të pyeteshin njerëzit e thjeshtë në rrugë se me se merret Kryqi i Kuq, me siguri që përgjigja më e mundshme do të kishte qenë se ai shpërndan ndihma për njerëzit në nevojë. Përgjigja nuk është aspak larg së vërtetës megjithëse nuk nënkupton as kontributin e Kryqit të Kuq në konfliktet e armatosura, as përgatitjen për rastet e katastrofave apo angazhimin për dhurimin vullnetar të gjakut, për ndihmën e parë etj. Por në fakt thelbi i Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe është humanizmi. Jo më kot ai është edhe parimi i parë themelor i saj. Dhe aspekti kryesor i shfaqjes së natyrës humanitare të Lëvizjes, është ndihma që u ofrohet përditë njerëzve më në nevojë nëpërmjet realizimit të projekteve sociale.

Edhe për Kryqin e Kuq Shqiptar, projektet sociale në favor të shtresave dhe grupeve të identifikuara si më nevojtare për shoqatën, përbëjnë thelbin e realizimit të veprimtarisë së vet humanitare. Ky numër i Revistës ka këtë tematikë në fokus të saj. Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar z.Zamir Muça thekson në shkrimin e tij se “megjithëse një shoqatë relativisht e re, ajo ka punuar në vite për të rritur kapacitetet në fushën sociale… duke bërë shumë kujdes që ndihma e dhënë të jetë e drejtë, efikase dhe me elementë integrues duke respektuar individin me qëllim që të mos prekë dinjitetin e personit në nevojë.”

Të moshuarit janë një nga kategoritë sociale me të cilat punon Kryqi i Kuq Shqiptar. Te Revista do të gjeni informacion jo vetëm për aktivitetet që zhvillohen me ta, por edhe në lidhje me promovimin e të drejtave dhe të nevojave të këtij grupi shoqëror. Shkrimi i dr. Reshat Koçit kryetar i shoqatës shqiptare të Gerontologjisë-Geriatrisë dhe anëtar i Komisionit të Shëndetit në Kryqin e Kuq Shqiptar, është në këtë kuadër, shumë interesant.

Por në këtë numër të Revistës nuk trajtohet vetëm tema sociale. Tema e rritjes së sigurisë rrugore vjen nëpërmjet artikullit të specialistit Dedë Shkurti, së bashku me propozime konkrete për përmirësimin e saj. Po ashtu ka informacione nga aktivitetet në degët e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe nga forumet statutore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: