(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 50

Revista 50-kopertina

Të dashur miq të Revistës,

Në fokus të këtij numri të Revistës është tema e racizmit dhe e diskriminimit. Më saktë është papajtueshmëria e vlerave dhe e parimeve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe me qëndrimet raciste dhe diskriminuese. Në shekullin XXI dhe në mijëvjeçarin e tretë, racizmi s’ duhej të kishte qenë veçse një dukuri historike, por fatkeqësisht është po aq i përhapur sa më parë. I shfaqur në forma dhe në trajta nga më të ndryshmet, ai mbetet një nga problemet kryesore që shqetësojnë shoqërinë e sotme. Me gjithë përparimin e pa mohueshëm të njerëzimit, dhuna dhe diskriminimi për motive raciste vazhdojnë të gërryejnë shoqëritë anembanë botës. Shprehje të tilla si “s’jam racist po ata janë duke na vjedhur punët (apo pronat) tona”, “nuk jam racist, por bëra vetëm një shaka”, “nuk jam racist, por ata thjesht nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne”, mund t’i dëgjojmë çdo ditë e për fat të keq, pa na tronditur aq sa çdo të ishte e nevojshme për ta përmirësuar më shumë gjithë racën njerëzore. Por ka edhe lajme të mira: shoqëria njerëzore është më e mobilizuar se kurrë në betejën kundër dukurive raciste dhe shfaqjeve diskriminuese. I rreshtuar në krah të forcave progresiste dhe humanitare është edhe Kryqi i Kuq. Të gjithë i dimë kontributet e tij në raste luftërash, katastrofash natyrore apo të ndihmesës për ata njerëz që janë më nevojtarë se të tjerët. Kjo lloj veprimtarie është vetëm njëri aspekt i misionit të Kryqit të Kuq. Një preokupim tjetër i vazhdueshëm i tij lidhet me përhapjen e vlerave humanitare dhe edukimin së pari të brezit të ri, por në një plan më të gjerë, edhe të të gjithë shoqërisë me këto vlera kundër çdo lloj diskriminimi të çfarëdolloj karakteri. Për më tepër lexoni shkrimin e presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar, prof.dr.Shqyri Subashit.

Në kuadër të promovimit të 90 vjetorit të krijimit të Kryqit të Kuq Shqiptar, në këtë numër po botojmë një intervistë shumë interesante, të marrë vite më parë, me mjekun e nderuar, profesor Shefqet Ndroqi. Ndërsa në rubrikën “aktualitet”, vjen kronika e përkujtimit të 8 majit, Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Së bashku me një deklaratë të presidentëve të Federatës Ndërkombëtare dhe të Komitetit Ndërkombëtar në këtë ditë të shënuar për Lëvizjen, aty do të gjeni edhe përshtypjet e disa prej fituesve të Konkursit XIV Kombëtar të Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, i cili finalen e ka në kuadër të 8 majit.

Në Revistë nuk do të mungojë as rubrika e shëndetit me këshilla kundër barkut të verës dhe as rubrika “ndryshe” me një sprovë për një këndvështrim të veçantë të strukturave të Kryqit të Kuq.
Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: