(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Revista 47

Revista 47_kopertina

Të dashur miq të Revistës,

U bënë dy vjet që Revista trajton tema të veçanta duke u fokusuar në lidhjen e tyre me Kryqin e Kuq. Ky numër i ri i saj rimerr trajtimin e këtyre lloj temash të para nga këndvështrimi i Kryqit të Kuq, pas një ndërprerjeje në dy numrat e fundit, të kushtëzuar me ngjarje të cilave Revista iu kushtua tërësisht si ai i operacionit në ndihmë të banorëve të Shkodrës të përmbytur në janar të këtij viti dhe punimeve të Asamblesë XII të Përgjithshme të mbajtur në 2-3 korrik 2010.

Këtë herë tema e përzgjedhur duket edhe më e largët nga “Kryqi i Kuq” se sa ato të mëparshmet që duke qenë me natyrë sociale, interpretoheshin më natyrshëm nga pozicionet humanitare. Ky numër i kushtohet gjuhës shqipe. Mirëpo s’ka asgjë më të natyrshme se angazhimi i një institucioni për të respektuar gjuhën standarde. Që në fillimet e veta kur hartoheshin dokumentet e para e deri sot kur shoqata disponon një arsenal të vërtetë rregulloresh, politikash, dokumentesh administrative dhe botime në fusha të ndryshme, kujdesi për një përdorim sa më të mirë të gjuhës tonë, larg huazimeve nga gjuhët e tjera dhe dialektalizmave, ka qenë në vëmendjen e përhershmë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Pikërisht ky preokupim trajtohet në artikullin e prof.dr. Seit Mansakut me titull “kujdesi për gjuhën është detyrë e të gjithëve”.

Rubrika e shëndetit vjen me një reflektim interesant në lidhje me jetëgjatësinë, shkëputur nga libri i prof.dr. Shyqyri Subashit “Si të jetojmë 100 vjet”. Ndërkohë që në rubrikën “nga faqet e organeve të Lëvizjes ndërkombëtare” është sjellë një shkrim që ndriçon një anë të re dhe jo aq të trajtuar të marrëdhënieve ndërmjet dy njerëzve që aq shumë bënë për lindjen dhe konsolidimin e idesë së Kryqit të Kuq, Henri Dynantit dhe Gustav Muaniesë.

Kampi rinor i Kryqit të Kuq Shqiptar që po kthehet tashmë në një aktivitet tradicional, gjen pasqyrimin e vet në faqet e Revistës nëpërmjet përshtypjeve të një prej protagonistëve të tij.

Redaksia

Ndajeni me miqte tuaj: