(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Raporti vjetor 2010

Kopertina Rap vj 2010 shqip

HYRJE

Të nderuar lexues dhe dashamirës të Kryqit të Kuq Shqip­­tar,

Raporti që keni në dorë paraqet veprimtaritë humanitare të kryera nga Kryqi i Kuq Shqiptar në vitin 2010 i cili, në fakt, shënon vitin e parë të zbatimit të Strategjisë së Shoqatës për vitet 2010-2015, strategji që mbështetet fort mbi strategjinë e Federatës  ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Në këtë raport ju mund të konstatoni se kemi të bëjmë me një paraqitje, sintetike dhe të harmonizuar mirë, të programeve dhe projekteve të shoqatës. E tërë kjo është bërë në funksion të komplementaritetit të ndërsjelltë të efektit humanitar të njërit program mbi tjetrin dhe të rritjes së shanseve për lehtësimin në zbatimin e tyre. Në fund të fundit kjo paraqitje në funksion të rritjes së shanseve për uljen e vuajtjeve të grupeve nevojtare, që është qëllimi final i veprimtarive humanitare. Shumë prova do të gjeni në faqet e këtij dokumenti, por prova më e fundit, më e mirë dhe më e arrirë është gatishmëria e treguar dhe puna e kryer nga Kryqi i Kuq Shqiptar në të dy periudhat që Shkodra dhe qytete të tjera të vendit u goditën nga reshjet e shumta e të zgjatura dhe u përmbytën në fillim dhe në fund të vitit 2010.

Raporti vjetor është një mjet fort i mirë për të siguruar transparencën e nevojshme, të shtrirë dhe gjithëpërfshirëse, që jo vetëm informon gjithkënd në shoqatë dhe jashtë saj si anëtarë, vullnetarë, te zgjedhur, menaxhues, nevojtarë, donatorë, etj., por edhe jep mundësi për të përqasur  gjithçka ishte planifikuar me ato që praktikisht janë realizuar. Në ketë mënyrë raporti vjetor shërben për të rritur besueshmërinë e funksionimit të shoqatës, nga kushdo që njihet me të, por sidomos nga donatorët. Auditimi financiar, prej disa vitesh, që i bëhet  Kryqit të Kuq Shqiptar nga kompania prestigjioze ndërkombëtare “KPMG – Albania SH.p.k.” është një dëshmi e vlerësimit të veçantë që organet drejtuese dhe menaxhuese të shoqatës vazhdimisht i japin aspektit financiar të korrektësisë së veprimtarive humanitare. Prandaj raporti vjetor mund të konsiderohet si një dokumentim serioz i veprimtarisë së një institucioni që funksionon mirë, siç është edhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Nga ana tjetër raporti vjetor është një kontribut për të siguruar suksesin e mirë edhe në të ardhmen. Arritjet në veprimtaritë e vitit 2010, të cilat pasqyrohen në këtë raport, do shërbejnë si një bazë e mirë për hartimin e planit të veprimtarive për vitin e ardhshëm, për sigurimin e zbatimin sa më mirë, edhe në të ardhmen ashtu si deri sot, të strategjisë 2010-2015, për rishikimin kronologjik të politikave të programeve të ndryshme të shoqatës.

Më në fund botimi i raportit, më jep rastin dhe kënaqësinë që të falenderoj të gjithë anëtarët, vullnetarët, të zgjedhurit dhe të punësuarit e Kryqit të Kuq Shqiptar, ashtu si edhe donatorët vendas dhe të jashtëm, për kontributin e vyer që kanë dhënë në projekte të ndryshme të shoqatës.

Prof. Dr. Shyqyri Subashi
President i Kryqit të Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: