(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Programi i promovimit të dhurimit vullnetar të gjakut

dhurim Bonavi 6

 PROGRAMI I DHURIMIT VULLNETAR TË GJAKUT 

Prej vitesh apeli i Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut është :

“Dhuroni gjak, shpëtoni jetë! “Gjaku i sigurt fillon me mua dhe me Ju”,

Angazhimi i organizatës vullnetare më të vjetër në vend përkon me misionin humanitar të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Veprimtaria e KKSH në fushën e Promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut” është në përputhje me “Strategjinë 2010-2015 të KKSH” si dhe në përputhje me Strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin në vend të gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurt në vend.

Programi i Promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut ka filluar në vitin 1993, mbështetur nga Federata Ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, dhe në një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë.

Në vitin 2005, Ministria e Shëndetësisë hartoi Strategjinë Kombëtare për një transfuzion me gjak të mjaftueshëm dhe sigurt. Në këtë Strategji, Kryqi i Kuq Shqiptar është konsideruar me të drejtë partner kyç në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut. Kësaj konsiderate, Kryqi i Kuq Shqiptar u përgjigj me një riorganizim të programit duke rritur intensitetin e veprimtarive dhe për pasojë dhe të rezultateve konkrete. Ky rol i rëndësishëm i Kryqit të Kuq Shqiptar në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut është sanksionuar në një marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë me Ministrinë e Shëndetësisë të nënshkruar në vitin 2005.

Promocioni i dhurimit vullnetar falas të gjakut është aktivitet i organizuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerë të tjerë të interesuar në këtë fushë si: Ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, dhe shumë institucione kryesore në vend.

Veprimtaria e programit mbështete kryesisht në dy projekte që janë Projekti “Promocion për dhurimin vullnetar, të gjakut” dhe projekti “Klub Shqiptar 25”. Të dy projektet kanë si qëllim “Promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut” në grupet shenjë të interesuara, në rritjen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, për pasojë në sigurimin i një sasie gjithnjë në rritje të gjakut të mjaftueshëm dhe sigurt. Projekti Klub Shqiptar 25 fokusohet tek të rinjtë e moshës 18-25 vjeç.

Veprimtaritë e programit kanë pasur dhe kanë mbështetjen maksimale të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, që është një nga partnerët kryesor, në shkallë botërore, në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut.

Falë një bashkëpunimi të ngushtë me Qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut dhe Ministrinë e Shëndetësisë programi ka rritur mjaft intensitetin e punës së tij. Duke shfrytëzuar eksperiencën e krijuar në vite si dhe ata të partnerëve tanë ndërkombëtar në këtë fushë, Kryqi i Kuq Shqiptar po luan gjithnjë e më mirë rolin e tij si lider në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar falas të gjakut në vend.

Veprimtaritë e KKSH në këtë fushë shtrihen në të gjithë vendin. Në program janë aktivizuar rreth 550 vullnetarë të trajnuar posaçërisht për këtë aktivitet.

Të motivohen njerëzit të dhurojnë gjak është detyrë e rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi, e cila synon ndryshimin e qëndrimeve të njerëzve dhe të sjelljeve të tyre, veçanërisht te moshat e reja. Për këtë është punuar me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, shkollat e mesme dhe shkollat e larta, repartet ushtarake dhe efektivat e policisë së Shtetit, institucionet shëndetësore, dhe mbi të gjitha me publikun e gjerë.

Fushatat publicitare janë mbështetur nga media dhe masmedia të cilët kanë realizuar një mbulim falas të transmetimit të spote TV dhe Radio, artikuj në gazeta, postera etj.

Objektivi i Programit të Promocionit të Dhurimit vullnetar të gjakut për vitin 2017 është 7000 njësi gjaku të dhuruara, 500 njësi më shumë se 2016.

Për realizimin e objektivit është punuar fort për të promovuar vlerat humane që përmban dhurimi vullnetar i gjakut, duke e konsideruar atë një aspekt mjaft të rëndësishëm njerëzor për individë dhe grupe shenjë të komunitetit, si plotësim të nevojave për gjak në vend, aktualisht mjaft deficitare dhe si një vlerë e shoqërive të emancipuara. Deri ne fund të muajit shtatorit 2017 është arritur të mblidhen 5100 njësi gjak, ndërkohë që po punohet me intensitet për realizimin e objektivit vjetor.

Raporti i takimeve informuese – sensibilizuese për 2017, është mesatarisht 2.5 takime për 1 seancë dhurimi, ndërkohë që raporti individë të paraqitur për të dhuruar të përjashtuar për arësye shëndetësore me dhurues gjaku është 1,6 me 1.

Kryqi i Kuq Shqiptar fton të gjithë organizatat dhe institucionet, të japin mbështetjen e tyre duke nxitur personelin dhe anëtarët e tyre të dhurojnë gjak rregullisht. Çdo kush një ditë mund të jetë nevojtarë.

Kryqi i Kuq Shqiptar mirëpret gjithkënd që ti bashkohet armatës së dhuruesve vullnetar të gjakut, dhe vullnetarëve të tij për të rritur sensibilizimin mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar, si gjaku më i sigurt për transfuzion.

“Të marrësh gjak të sigurt është një e drejtë, të dhurosh gjak të sigurt është një akt njerëzor dhe privilegj”

Le të përpiqemi së bashku për të dhuruar gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm.

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: