(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

PROGRAMI I PERGATITJES DHE I PERGJIGJES NE RASTE KATASTROFASH DHE I NDIHMES SE PARE NE KOMUNITET

PROGRAMI I NDIHMES SE PARE

Ndihma e Parë është një nga programet kryesore të të gjitha shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Edhe në Kryqin e Kuq Shqiptar (KKSH), Programi i Ndihmës së Parë është një nga prioritetet e tij. Ai e ka nisur punën që në fillimet e riorganizimit të KKSH-së në vitin 1992.

KKSH është i aftë të organizojë kurse trajnimi për dhënien e Ndihmës së Parë për publikun e gjerë, kurse trajnimi për instruktorë dhe për vullnetarë. Ai organizon dhe zhvillon kurse për dhënien e ndihmës së parë për subjekte të ndryshme private dhe OJQ edhe në përputhje me kërkesat e tyre specifike.

Ekipet e Ndihmës së Parë të KKSH-së janë aktivë duke qenë prezent në stadiume, duke u aktivizuar në raste të ndryshme emergjencash, në aktivitete të ndryshme sportive, kulturore etj.

Në objektivat e përhershëm të Programit është këmbëngulja për të përhapur njohuritë e dhënies së ndihmës së parë sa më shumë e në të gjithë territorin si dhe për të përfshirë dhe aplikuar çdo të re, çdo ndryshim dhe çdo evoluim që pësojnë teknikat e ndihmës së parë, për të cilat na jep informacion Qendra Evropiane e Referencës për Edukimin e Ndihmën së Parë.
Konkretisht, në përshtatje të direktivave të Komisionit Evropian (sipas të cilave në vendet e anëtarësuara dhe kandidate duhet që shoferët që marrin patentën, të dinë si të sillen në raste aksidentesh si dhe të dinë si të japin ndihmën e parë për viktimat e aksidentit në rrugë) që nga viti 2005 është realizuar një punë voluminoze duke mundësuar që në të gjithë vendin të zhvillohen kurse ku mësohen teknikat e dhënies së ndihmës së parë për drejtuesit e rinj të automjeteve sipas standardeve evropiane. Metodologjia e përdorur në këto kurse për përgatitjen e drejtuesve të automjeteve, është në përputhje me modulet e miratuara nga Qendra Evropiane e Referencës për Edukimin e Ndihmës së Parë.

Programi i Ndihmës së Parë e zgjeron hapësirën e punës duke kërkuar dhe krijuar më shumë mundësi për t’u lidhur direkt me publikun, duke e bërë atë pjesëmarrës direkt në aktivitete. Për të realizuar këtë janë përgatitur instruktorët dhe vullnetarët që të realizojnë një bashkëpunim sa më të thjeshtë, të sinqertë dhe shpjegues për çdo moshë dhe shtresë të publikut. Puna për rritjen e numrit të vullnetarëve dhe zhvillimin e aktiviteteve sensibilizuese e demonstruese, është e përhershme dhe e vazhdueshme. Aktivitetet sensibilizuese dhe demonstruese më të dukshme janë ato që zhvillohen në kuadër të evenimenteve të tilla si Dita Botërore e Ndihmës së Parë, Konkursi Kombëtar i Ndihmës së Parë, Dita në përkujtim të Viktimave të Rrugës, Dita për Sigurinë Rrugore, etj.

Qëllimi final i punës së Programit të Ndihmës së Parë është qëllimi fillestar i krijimit të tij: “kush di të japë ndihmë, ju luten ejani të shpëtoni jetë!”, pra ne punojmë me këmbëngulje për të përhapur njohuritë e dhënies së ndihmës së parë, duke theksuar që ndihma e parë e shpëton jetën e një njeiru vetëm kur jepet me mënyrën e duhur dhe nga një person që di ta japë atë.

Në këtë kuadër KKSH për çdo vit :
• Organizon kurse trajnimi për përgatitjen e instruktorëve të ndihmës së parë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.
• Instruktorët nga ana e tyre zhvillojnë kurse për përgatitjen e vullnetarëve në çdo degë të shoqatës.
• Me vullnetarët e trajnuar të çdo rrethi, zhvillon konkursin kombëtar të ndihmës së parë me takimet brenda degës dhe më pas zhvillohen takimet rajonale dhe takimi final.
• Merr pjesë me një ekip të vetin në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar siç është Konkursi Evropian i Ndihmës së Parë.
• Në fund të javës së dytë të muajit shtator, zhvillohen aktivitete të ndihmës së parë në kuadrin e ditës ndërkombëtare të ndihmës së parë.
• Vullnetarët e ndihmës së parë të trajnuar, aktivizohen në grumbullimet masive të njerëzve për t’iu gjetur atyre sa më pranë në rast se lind nevoja për dhënie të ndihmës së parë si në plazhet publike gjatë pushimeve verore, gjatë manifestimeve të ndryshme në aktivitete sportive, në stadiume etj.
• Me vullnetarët e trajnuar të çdo rrethi zhvillohen seanca informimi e sensibilizimi duke shpërndarë materiale informative si fletë palosje, fletëvolante e postera për ndihmën e parë dhe duke kryer demonstrime të dhënies së ndihmës së parë, në ambiente publike, në qytet, fshat, shkolla etj si edhe në kuadër të aktiviteteve për sigurinë rrugore.
• Me instruktorët e saj zhvillon kurse trajnimi nëpër institucione, ndërmarrje apo kompani të ndryshme, OJQ, etj, për njohjen me teknikat e dhënies së ndihmës së parë të punonjësve të tyre apo individëve të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshëm.
• Zhvillohen kurse për ndihmën e parë me drejtuesit e automjeteve në të gjitha rrethet.

Kryqi i Kuq Shqiptar disponon:
– ambiente trajnimi për Ndihmën e Parë në të gjithë degët e tij.
– ruan dhe plotëson numrin e duhur të instruktorëve për të zhvilluar kurse trajnimi.
– plotëson dhe rifreskon bazën e duhur materiale mësimore didaktike.
– manualin e Ndihmës së Parë.
– programin e trajnimeve sipas Certifikatës Evropiane të Ndihmës së Parë.
– të drejtën e përdorimit të Logos Evropiane të Ndihmës së Parë për tre llojet e kurseve që zhvillon.
1- Kurse bazë të Ndihmëzs së Parë për publikun e gjerë, institucione, kompani dhe firma të ndryshme prodhimi;
2- Kurse për kandidatët për drejtues automjeti;
3- Kurse për vullnetarë të Ndihmës së Parë në KKSH.

Ndajeni me miqte tuaj: