(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

PROGRAMI I ADMINISTRIMIT TE PRONAVE


Gjaku i sigurtë fillon me mua dhe me Ju. Dhuroni gjak, shpëtoni jetë!

Është apeli që Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) përcjell në publik prej vitesh. Angazhimi ynë në fushën e gjakut përkon me misionin humanitar të Kryqit të Kuq, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Aktiviteti i KKSH-së në fushën e “Promocionit të dhurimit vullnetar falas të gjakut” është në përputhje me Strategjinë 2015 të tij si dhe në përputhje me Strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e gjakut të sigurt në vend. Promocioni i dhurimit vullnetar falas të gjakut ka filluar që në vitin 1993, mbështetur plotësisht nga Federata Ndërkombëtare dhe në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë. Si i tillë ai ka vazhduar deri në vitin 2000, për të rifilluar me intensitet mbas 5 vjetësh.

Në vitin 2005, Ministria e Shëndetësisë hartoi Strategjinë Kombëtare për një transfuzion me gjak të sigurt. Në këtë Strategji, shoqata e Kryqit të Kuq Shqiptar është konsideruar partner kyç në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar pa pagesë të gjakut. Në fund të vitit 2005, Kryqi i Kuq Shqiptar nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit afatgjatë me Ministrinë e Shëndetësisë ku roli i Kryqit të Kuq përcaktohej në fushën e sensibilizimit të publikut për dhurimin vullnetar pa pagesë të gjakut.
Promocioni i dhurimit vullnetar falas të gjakut është aktivitet i organizuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerë të tjerë të interesuar në këtë fushë si Ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Shoqata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Projektet në të cilat aktualisht shoqata po punon janë “Promocioni për dhurimin vullnetar, pa pagesë të gjakut” dhe “Klub Shqiptar 25”. Të dy projektet kanë si qëllim promovimin e dhurimit vullnetar falas të gjakut në grupet shenjë të interesuara, rritje të numrit të dhurimeve vullnetare,për pasojë sigurimin e një sasie gjithnjë e më të madhe gjaku të sigurt. Projekti “Klub Shqiptar 25” fokusohet te të rinjtë e moshës 18-25 vjeç. Të dy projektet kanë pasur mbështetjen maksimale të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, e cila është një nga partnerët kryesorë në shkallë botërore në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar pa pagesë të gjakut. Falë një bashkëpunimi të ngushtë me Qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut dhe Ministrinë e Shëndetësisë, është rritur mjaft intensiteti i punës dhe duke shfrytëzuar eksperiencën e krijuar, është bërë e mundur që Kryqi i Kuq Shqiptar të jetë lider në fushën e promocionit të dhurimit vullnetar falas të gjakut.

Veprimtaritë e KKSH-së janë shtrirë në degët kryesore që përkojnë me rrethet kryesore të vendit ku janë aktivizuar rreth 150 vullnetarë të trajnuar posaçërisht për këtë aktivitet. Të motivohen njerëzit të dhurojnë gjak në kushtet e tranzicionit të vendit, është detyrë e rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi, e cila përfshin disa aktivitete për ndryshimin e qëndrimeve të njerëzve dhe sjelljeve të tyre dhe veçanërisht të moshës së re. Për këtë është punuar me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, shkollat e mesme dhe shkollat e larta, repartet ushtarake dhe efektivat e policisë së shtetit, institucionet shëndetësore, etj. Fushatat publicitare janë mbështetur nga media dhe masmedia të cilët kane realizuar një mbulim falas, duke transmetuar me dhjetëra njoftime, postera, spote TV dhe spote ne radio e artikuj në gazeta.

Çdo vit KKSH i ofron shërbimit të transfuzionit rreth 4.500-5.000 njësi gjak nga dhurues vullnetarë dhe pa pagesë, ndërkohë që nevojat janë më të mëdha. Nevojat ditore të spitaleve janë për rreth 80 njësi gjak.

KKSH fton të gjithë organizatat dhe institucionet që të japin mbështetjen e tyre duke inkurajuar punonjësit dhe anëtarët e tyre të dhurojnë gjak rregullisht. Gjithashtu KKSH mirëpret të gjithë njerëzit që të bashkohen me armatën humanitare të dhuruesve vullnetarë të gjakut si dhe me vullnetarët e Kryqit të Kuq për të rritur sensibilizimin mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar, pa pagesë të gjakut, si gjaku më i sigurt për transfuzion. Çdo shoqëri e qytetëruar ka gjithnjë dhurues vullnetarë të gjakut.

Të dhurosh gjak të sigurt është një akt human, por të marrësh gjak të sigurt është një e drejtë! Le të përpiqemi së bashku për të dhuruar gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm.

BËHUNI DHURUES VULLNETAR I GJAKUT !

Ndajeni me miqte tuaj: