(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Presidenti Meta vizitoi sot Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar për pensionistët

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sociale për pensionistët të Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë me rastin e Festave të Fundvitit.
Pasi vuri në dukje kënaqësinë e kremtimit së bashku të disa momenteve festive, Presidenti Meta vlerësoi përkushtimin dhe përkujdesjen e Kryqit të Kuq Shqiptar që ka ngritur këtë qendër kaq funksionale për moshën e tretë, ku frekuentuesit e saj e kalojnë kohën e lirë në mënyrë të organizuar, të kulturuar dhe të këndshme.
Duke i takuar dhe përshëndetur përzemërsisht të pranishmit, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm, gjatë gjithë jetës së tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.“Kënaqësi e veçantë të jem në këtë ambient kaq të ngrohtë shoqëror, njerëzor e miqësor dhe për këtë dua të falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Shoqatën e Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionistëve të Shqipërisë.
Kënaqësi që të jem me ju, sepse ju përfaqësoni brezat e prindërve e të gjyshërve tanë që kanë bërë shumë për rimëkëmbjen e vendit, për arsimimin, elektrifikimin, për ndërtimin e hekurudhave e të hidrocentraleve dhe për edukimin e brezit të ri.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.
Presidenti Meta theksoi se sot: “ndesheni me vështirësi shumë të mëdha ekonomike, sociale, sepse keni edhe probleme që kanë të bëjnë me moshën sidomos për sa i takon shëndetit, si dhe shpenzimeve të domosdoshme për t’i përballuar këto probleme.
Emigracioni, ashtu sikurse ka pasur aspektet e veta pozitive në fillim, tashmë është kthyer në një problem shumë të madh. Tani jemi të ndërgjegjshëm edhe për problemet e mëdha të vetmisë, me të cilat ndeshen shumë familjarë e prindër. Kemi edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e pensioneve, të skemës së pensioneve dhe rritjen e tyre në të ardhmen, që janë probleme objektive ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë vëmendje.
Jam i hapur në çdo rast që ju dëshironi të diskutojmë për problemet, nismat që mendoni se duhen mbështetur si nga ana ligjore, si nga aspektet e tjera, për vlerësimin e personaliteteve të brezave tuaj që mendoni se nuk kanë marrë vëmendjen e duhur si dhe për çdo bashkëpunim tjetër.
Është detyra e jonë, e instititucioneve në veçanti por edhe e shoqërisë, për të treguar më shumë respekt e përkujdesje për ju, për hallet tuaja, pasi kontributi e përvoja e juaj janë një aset i çmuar për sot e të ardhmen.
Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.
Vetëm po të kemi parasysh numrin e të rinjve që janë marrë me kanabis dhe janë sot nëpër burgje në Europë, do të kuptojmë se sa i rëndësishëm është edukimi i të rinjve, brumosja e tyre me ndjenjën e punës, të marrjes së një profesioni të denjë, aq më tepër të profesioneve që deri dje mund të dukeshin si jo shumë të preferuara, por që janë nga profesionet më të nderuara për të ndërtuar një jetë me të ardhura shumë të mira dhe dinjitoze, sepse profesionistët mungojnë dhe ata kërkohen gjithnjë e më tepër në tregun e punës.
“Ju uroj të gjithëve në këtë atmosferë festash sa më shumë shëndet, jetë të gjatë, dhe solidaritet me njëri-tjetrin, por edhe solidaritet për të gjithë shoqërinë tonë, për familjet tona, për të gjitha bashkësitë tona, sepse në radhë të parë jemi shqiptarë, jemi njerëz dhe duhet ta forcojmë akoma edhe më shumë këtë ndjenjë të të qenit shqiptarë! Të mos harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit! Kjo është kryesorja: pa njëri-tjetrin askush prej nesh nuk është ai që do të donte të ishte në sytë e botës, edhe në sy të fqinjëve, edhe në sy të të tjerëve.
Në këtë epokë të globalizimit ne kemi nevojë për edukatën, përvojën, atdhetarizmin tuaj që këto t’ua përçojmë brezave më të rinj që të rritemi si shoqëri e shëndetshme e me të ardhme të sigurtë!” – ishin mesazhet dhe urimet e Presidentit të Republikës.

Ndajeni me miqte tuaj: