(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Panairi “Expo Medical-al”-një sukses në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit

Panairi “Expo Medical-al” i organizuar më datat 25,26,27 tetor në mjediset e Pallatit të Kongreseve është një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit në vendin tonë. Ai organizohet për herë të parë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale. Panairi kishte si qëllim që të prezantonte për publikun e gjerë shërbimet në fushën e mjekësisë dhe të shëndetit që realizohen në vendin tonë.

Në panair merrnin pjesë firma të shumta që operojnë në fushën e mjekësisë, të shëndetit dhe të farmaceutikës brenda dhe jashtë vendit. Një numër i madh të firmave që përfaqësonin këto shërbime vinin nga Kosova.

Falë bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Kryqi i Kuq Shqiptar hapi stendën e tij në këtë panair. Në hapësirën e dhënë me shumë bujari nga organizatorët, KKSH ofroi një informacion të gjerë të të gjithë veprimtarisë së saj në fushën e fushën e shëndetit dhe më konkretisht në fushën e ndihmës së parë, të promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut, të higjienës personale dhe atë në komunitet, të luftës kundër drogës, alkoolin, etj. Një informacion i gjerë dhe me mjaft interes ishte informacioni për shërbimet e ndryshme të realizuara nga shoqata në fusha të ndryshme e kryesisht në atë të ndihmës së parë.

Stenda e KKSH u vizitua dhe nga Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale znj. Orgeta Manastirliu e cila pasi përshëndeti punën e mirë që bën KKSH në fushën e shëndetit, tregoi një interes të veçantë për Kurset e Ndihmës së parë të realizuar për kategori të ndryshme të interesuara por dhe për publikun e gjerë. Ajo shprehu dëshirën që një kurs i tillë duhet të zhvillohet me patjetër dhe me punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale.

Pikërisht në ditën e dytë të panairit “Expo Medical-al” në stendën e Kryqit të Kuq Shqiptar, Dega e KK Tiranë në bashkëpunim me Qendrën e Gjakut, organizuan një seancë dhurimit gjaku për fëmijët talasemikë. Të parët që dhuruan gjak vullnetarisht ishin studentët e Fakultetit të Infermierisë dhe përfaqësues të firmave përfaqësuese në Panair.

Stenda e KKSH pati vizitorë të shumtë, një pjesë e mirë e të cilëve u bënë dhe pjesë e demonstrimeve të gjesteve të ndihmës së parë të dhëna me mjaft mjeshtëri e kompetencë nga instruktorët dhe vullnetarët e Degës së KK Tiranë.

Panairi “Expo-Medical-al” mbylli siparin e saj. Përfaqësimi i suksesshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar është padyshim meritë e punës së shkëlqyer të vullnetarëve tanë. Ndihma e Parë dhe dhurimi vullnetar i gjakut janë dy nga shtylla nga më të rëndësishme të veprimtarisë së KKSH që u pasqyruan gjerësisht në këtë Panair.

Ndajeni me miqte tuaj: