(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

“Njerëzit do të vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë në fushën e shëndetit, të jetesës dhe të strehimit.”

 

 

 

Komunikatë Shtypi

Datë 05.12.2019

 

Më shumë se një javë nga tërmeti që goditi vendin tonë, Kryqi i Kuq Shqiptar vazhdon me ritme të larta aksionin e tij humanitar në ndihmë të të prekurve prej tij kryesisht në Durrës, Thumanë, Tiranë. E më gjerë.

 

Që në orët e para të tërmetit dhe në vazhdim, vullnetarët dhe stafi i Kryqit të Kuq Shqiptar kanë ndihmuar të prekurit nga tërmeti fillimisht me Ndihmë të Parë dhe mbështetje psikologjike, e pas kësaj me ndihma konkrete të nevojës së parë si ujë, ushqim i ngrohtë, çadra, veshmbathje, artikuj higjienike, etj. Të realizuara këto në bashkëpunim dhe në koordinim me strukturat shtetëror qendrore dhe vendore të veprimit në rast emergjente. Më shumë se 350 vullnetarë dhe staf i Kryqit të Kuq kanë qenë dhe janë pranë të prekurve nga tërmeti në qendrat e strehimit të përkohshme dhe në vendbanimet e tyre.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Artur Katuçi thotë se, ai i është shumë falënderues vullnetarëve të përkushtuar të Kryqit të Kuq që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë që nga momenti kur tërmeti goditi vendin. “Jam shumë krenar për këtë humanizëm, dhe sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve, dua t’i falënderoj ata nga zemra për kontributin e tyre,” tha ai.

 

Aksionit humanitar të Kryqit të Kuq Shqiptar i janë bashkangjitur, që në fillimi, shoqatat si motra të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të rajonit dhe më gjerë, dhe Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, të cilat kanë ndihmuar jo vetëm me sasi të konsiderueshme ushqimore, kite higjienike dhe materiale të tjera, por dhe me staf të specializuara, disa prej tyre në fushën e kërkim-shpëtimit dhe të vlerësimit të dëmeve.

 

Të gjitha degët e Kryqit të Kuq Shqiptar në vend janë angazhuar në shenjë solidariteti me të prekurit nga tërmeti në një aksion të gjerë të mbledhjes së ndihmave ushqimore dhe materialeve të tjera.

 

Falë donacioneve të besuara Kryqit të Kuq Shqiptar nga individë, sipërmarrje private e shtetërore, shoqatat si motra të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënë së Kuqe, Federatës Ndërkombëtare, deri tani janë ndihmuar rreth 10 000 persona. Strukturat e Kryqit të Kuq Shqiptar në qendër dhe në degë mbështetur nga partnerët tanë të shoqatave kombëtare dhe të Federatës Ndërkombëtare kanë shpërndarë 4850 racione ushqim të ngrohtë, 2600 shishe me ujë, 3650 racione me ushqim thatë, si dhe 442 pako ushqimore një mujore, 995 batanije, 246 kite higjienike për familjet e prekura më rëndë nga tërmeti. Kryqi i Kuq Shqiptar falënderon ngrohtësisht gjithkënd që i është gjendur pranë familjeve të prekura nga tërmeti në këto ditë të vështira.

 

Zoti Katuçi tha se Kryqi i Kuq Shqiptar do të vazhdojë të ndihmojë njerëzit e prekur nga tërmeti në vitin në vazhdim. “Njerëzit do të vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë në fushën e shëndetit, dhe të jetesës dhe strehimit.”

 

Më datën 1 dhjetor, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kryqi i Kuq Shqiptar kanë lëshuar një apel ndihme për Lëvizjen ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në ndihmë të të prekurve nga tërmeti në shumën prej 3 000 000 franga zvicerane.

 

Apeli synon që të ndihmojë për një periudhë një vjeçare në mënyrë të drejtpërdrejt 10 000 persona ndër më nevojtarët në këtë katastrofë, me racione mujore standard të Kryqit të Kuq që përbëhen nga: 20 kg ushqim bazë (4 kg, makarona, oriz, sheqer, fasule, vaj, 0.5 kg kripë dhe 20 kg miell); një kit higjienike familjar një mujor dhe 5 batanije. Ndërkohë 50 000 persona të tjerë do të jenë përfitues të veprimtarive bazike që Kryqi i Kuq Shqiptar do të zhvillojë në komunitetet e prekura dhe më gjerë.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar familjet në nevojë, Kryqi i Kuq Shqiptar vë në dispozicion numrat e llogarisë si më poshtë:

http://www.kksh.org.al/dhuroni/

ose nw

https://www.gofundme.com/f/1tnwbbmco0

Ndërsa për Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në: https://donation.ifrc.org/?campaign=20d7f91d-5a13-ea11-80e2-0050560100a8

 

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: