(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Ligji per emblemen

emblemat

LIGJ Nr.7865, datë 29.9.1994

PËR MBROJTJEN E EMBLEMËS DHE TË EMRIT
TË KRYQIT TË KUQ

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491., datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Duke marrë në konsideratë konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 në lidhje me përmirësimin e fatit të të plagosurve dhe të sëmurëve në forcat e armatosura në fushën e betejës (Konventa I), për përmirësimin e fatit të të plagosurve, të sëmurëve dhe të anijembyturve në forcat e armatosura në det (Konventa II), trajtimin e robërve të luftës (Konventa III), në mbrojtje të personave civilë në kohë lufte (Konventa IV), të mëposhtëquajtura konventa, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957, si dhe duke marrë në konsideratë protokollet shtesë të 10 qershorit 1977 në lidhje me mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura (Protokolli I dhe mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosurajondërkombëtare (Protokolli II), të mëposhtëquajtura protokolle, në të cilat Shqipëria ka aderuar më 16 qershor 1993,
VENDOSI:
Neni 1
Emblema e Kryqit të Kuq formohet nga katër krahë me gjatësi të njëjtë dhe ngjyrë të kuqe mbi një sfond të bardhë.

Neni 2
Emblema e Kryqit të Kuq përdoret si shenjë treguese dhe shenjë mbrojtëse në përputhje me konventat e Gjenevës, protokollet shtesë dhe me këtë ligj.

Neni 3
Kryqi i Kuq Shqiptar përdor në çdo kohë emblemën dhe emrin e Kryqit të Kuq për veprimtaritë e tij në përputhje me parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, si dhe të legjislacionit të vendit.

Neni 4
Organizmat ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe personeli i tyre i njohur me ligjet ndërkombëtare, janë të autorizuar të përdorin në çdo kohë emblemën dhe emrin e Kryqit të Kuq.

Neni 5
Në raste të veçanta dhe me autorizimin e Kryqit të Kuq Shqiptar, në .kohë paqeje, mund të përdoret emblema e Kryqit të Kuq për të shënuar mjetet e përdorura si ambulancë, si dhe për të shënuar vendet e ndihmës së parë, të cilat u rezervohen falas dhe në mënyrë të paanshme të plagosurve e të sëmurëve. .

Neni 6
Me autorizimin e Këshillit të Ministrave ose të organeve e institucioneve të vendosura prej tij, emblema e Kryqit të Kuq mund të përdoret për të shënuar në kohë lufte personelin dhe materjalet e mbrojtura nga Konventa e Gjenevës dhe protokollet shtesë, që janë:

1) ndërtesat, instalimet, materiali sanitar, mjetet e transportit dhe personeli i shërbimit shëndetësor të ushtrisë;
2) përfaqësuesit e feve;
3) zonat dhe lokalitetet shëndetësore, të sigurimit dhe zonat neutrale;
4) spitalet civile dhe personeli i tyre;
5) njësitë sanitare, mjetet e transportit dhe personeli civil i tyre;
6) shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq, shoqata të tjera kombëtare të ndihmës vullnetare, personeli dhe materjalet e tyre të shërbimit sanitar.

Neni 7
Përdorimi i emblemës dhe i emrit të Kryqit të Kuq nga persona fizikë e juridikë në kundërshtim me mënyrën e përcaktuar në këtë ligj, cilido që të jetë qëllimi, është kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 1000 deri 10000 lekë.

Neni 8
Në rastet e parashikuara në nenin 7, punonjësit e Kryqit të Kuq shqiptar mbajnë procesverbalin e konstatimit të kundërvajtjes administrative dhe ia dërgojnë për gjykim seksionit të shëndetësisë sipas ligjit “Mbi kundërvajtjet administrative”.

Neni 9
Neni 4, 7 dhe 8 të këtij ligji janë të zbatueshme edhe për emblemën e Gjysmëhënës së Kuqe mbi një sfond të bardhë dhe për emrin e Gjysmëhënës së Kuqe.

Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr. 946, datë 17.10.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Ndajeni me miqte tuaj: