(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe i kërkon të gjitha shteteve që t’i japin fund epokës bërthamore

Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe i kërkon të gjitha shteteve që t’i japin fund epokës bërthamore

Deklaratë për shtyp, Gjenevë, 31 Korrik 2020 –
Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, në mëngjesin e 6 gushtit 1945, një aeroplan luftarak B-29 lëshoi mbi Hiroshima një armë të re të tmerrshme.
Bomba bërthamore fshiu qytetin, duke vrarë në çast rreth 70,000 njerëz dhe duke lënë dhjetëra mijëra të tjerë të vuajnë nga lëndime të tmerrshme. Tre ditë më vonë, më 9 gusht, një bombë e dytë bërthamore shkatërroi qytetin e Nagasaki, duke vrarë menjëherë 39,000 njerëz.
Deri në vitin 1950, rreth 340,000 njerëz kishin vdekur për shkak të efekteve të bombave, përfshirë dhe sëmundjet e shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) dhe Shoqata e Kryqit të Kuq Japonez dëshmuan vuajtjet dhe shkatërrimet e paimagjinueshme, ndërkohë që personeli mjekësor dhe ai humanitar u përpoqën, në kushte gati të pamundura, të ndihmonin të vdekurit dhe të plagosurit.
75 vjetori i bombardimeve të Hiroshimas dhe Nagasakit vjen në një kohë që rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është rritur në nivele që nuk ishin parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Incidentet ushtarake që përfshijnë shtetet që disponojnë arsenal bërthamor dhe aleatët e tyre janë rritur në mënyrë të shpeshtë dhe shtetet e armatosura me armë bërthamore kanë bërë kërcënime të qarta për përdorimin e armëve bërthamore.
Për më tepër, marrëveshjet për të eleminuar arsenalet ekzistuese janë duke u braktisur ndërsa armët e reja nukleare po zhvillohen, duke e vënë botën në rrugën e rrezikshme të një gare të re të armëve bërthamore. Këto zhvillime, kanë shtuar me urgjencë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar dhe eliminuar këto armë të papranueshme. Provat e padiskutueshme të efekteve të tyre katastrofike e bëjnë jashtëzakonisht të dyshimtë faktin që përdorimi i tyre të mund të përputhet ndonjëherë me ligjin ndërkombëtar humanitar.
“Tmerri i një shpërthimi bërthamor mund të ndjehet si histori e largët. Por sot rreziku i përdorimit të armëve bërthamore përsëri është i lartë. Traktatet për të zvogëluar arsenalin bërthamor dhe rreziqet e përhapjes janë duke u braktisur, ndërkohë që prodhohen lloje të reja të armëve bërthamore dhe bëhen kërcënime serioze. Kjo është një garë armësh dhe është e frikshme. Ne duhet të nxisim të gjitha shtetet të ndalojnë armët bërthamore dhe të shtyjnë shtetet që disponojnë armë bërthamore që të negociojnë, me dëshirën e mirë, ndërmarrjen e hapave konkret për eliminimin e tyre,” tha Peter Maurer, President i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).
“Komuniteti ndërkombëtar nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë pas një shpërthim bërthamor. Sëmundja e përhapur nga rrezatimi, rënia e prodhimit të ushqimit dhe shkalla e jashtëzakonshme e shkatërrimit dhe ndotjes do ta bënin të pamjaftueshëm çdo reagim domethënës humanitar. Asnjë komb nuk është i gatshëm të merret me një përballje bërthamore, “tha Francesco Rocca, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK&GjK).
Në korrik të vitit 2017 122 shtete miratuan Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TNAB), duke siguruar mbështetjen e gjerë për një botë pa armë bërthamore. Traktati do të bëhet ligjërisht i detyrueshëm për 50 vende të tjera që e ratifikojnë atë, deri më sot e kanë ratifikuar këtë traktat 40 shtete. Traktati ndalon zhvillimin, testimin, prodhimin, deponimin, vendosjen, transferimin, përdorimin dhe kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore. Për shtetet e armatosura bërthamore që bashkohen me traktatin, ai parashikon një kornizë të kufizuar në kohë për eliminimin e verifikuar të programit të tyre të armëve bërthamore.
Z. Maurer dhe z. Rocca përgëzuan shtetet që tashmë I janë bashkuar TNAB dhe inkurajuan të gjithë shtetet e tjerë të ndjekin këtë rrugë, duke siguruar që ngjarjet e vitit 1945 të mos ndodhin kurrë më. Të dy drejtuesit thanë se ishte vendimtare që TNAB të bëhet një normë e re e ligjit ndërkombëtar humanitar.
“Kurrë më parë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, nuk ka qenë më urgjente t’i kushtohet vëmendje pasojave katastrofike dhe çnjerëzore të armëve bërthamore. Ne duhet të tregojmë në mënyrë të qartë dhe pa ekivoke se përdorimi i tyre, në çdo rrethanë, do të ishte i papranueshëm në aspektin humanitar, moral dhe ligjor, “tha z. Rocca.
Sot në botë ka mbi 14,000 bomba bërthamore, mijëra prej tyre janë gati për t’u hedhur në do moment. Fuqia e shumë prej tyre është dhjetëra herë më e madhe se bombat e hedhura në Nagasaki dhe Hiroshima.
“Armët me pasoja katastrofike humanitare nuk mund të konsiderohen si instrumente të sigurisë,” tha z. Maurer.

Ndajeni me miqte tuaj: