(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Ligji per KKSH

emblema e skanuar 001

LIGJ

Nr.7864, datë 29.9.1994

PËR KRYQIN E KUQ SHQIPTAR
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:
Neni 1
Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që e ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të lëvizjes ndërkombëtare humanitare të Kryqit të Kuq, Gjysmëhënës së Kuqe dhe të konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957, dhe Protokolleve shtesë të 10 qershorit 1977 ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993, ai është ndihmës i organeve të pushtetit për çështjet humanitare në mbarë vendin.

Neni 2
Kryqi i Kuq Shqiptar, në gjithë veprimtarinë e tij udhëhiqet nga parimet themelore të Lëvizjes së Kryqit të Kuq që janë humanizmi, neutraliteti, paanësia, pavarësia, vullnetarizmi, uniteti dhe universaliteti e që pajtohen me politikën e shtetit shqiptar për Kryqin e Kuq.

Neni 3
Kryqi i Kuq Shqiptar bën pjesë në lëvizjen ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe
Gjysmëhënës së Kuqe, si dhe është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjusmëhënës së Kuqe.

Neni 4
Kryqi i Kuq Shqiptar e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të statutit që vendoset nga asambleja e përgjithshme e tij. Ky statut miratohet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave.

Neni 5
Kryqi i Kuq Shqiptar gëzon të drejtën e përdorimit të emblemës në përputhje me Konventat e Gjenevës të 10 gushtit 1949 dhe Protokollet shtesë të 10 qershorit 1977. Mënyra e përdorimit të saj rregullohet me ligj.

Neni 6
Kryqi i Kuq Shqiptar është person juridik. Ai mund ta ushtrojë veprimtarinë ekonomike për të siguruar burimet fmanciare për përballimin e veprimtarive të tij humanitare.

Neni 7
Për programe të veçanta Këshilli i Ministrave mund të mbështetë veprimtaritë humanitare të Kryqit të Kuq me fonde buxhetore.

Neni 8
Kryqi i Kuq Shqiptar pranon kontribute të pakufizuara në çdo formë nga individë, persona fizikë e juridikë shqiptarë ose të huaj dhe organizon mbledhjen e tyre brenda vendit.

Neni 9
Kryqi i Kuq Shiptar përjashtohet nga pagimi i çdo lloj tatimi a takse.

Neni 10
Dekreti nr.2254, datë 30.4.1956, dhe nr.4112, datë 7.3.1966, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr. 945, datë 17.10.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Ndajeni me miqte tuaj: