Greqi : Sekretari i përgjithshëm i FNKK bën thirrje për rritjen e mbështetjes për nevojat humanitare dhe shëndetësore të emigrantëve vulnerabël.

 

Athinë/ Gjenevë – “Më shumë duhet bërë në përgjigje të nevojave të emigrantëve në Greqi dhe në mbarë Europën, duke qenë se këto nevoja humanitare janë në rritje”, bëri thirrje Elhadj As Sy, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK), në fund të vizitës dy ditore në Greqi.

“Dëmtimi i shëndetit në rrugën migratore është një problem madhor. Zinxhiri i imunizimit për fëmijët është shkatërruar, njerëzit në lëvizje janë të ekspozuar ndaj shumë sfidave shëndetësore. Ne kemi një përgjegjësi të dyfishtë për t’ju përgjigjur nevojave humanitare dhe nevojave bazë shëndetësore,” tha z. Sy. “ Ne kemi nevojë – Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe, qeveritë dhe partnerët humanitarë – që të vazhdojmë përpjekjet tona dhe të përgjigjemi me efektivitet dhe eficencë, për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor.

Më shumë se 600 000 persona kanë mbërritur në Greqi, këtë vit, duke e bërë atë pikën e parë hyrëse në Europë për emigrantët nevojtarë. Kryqi i Kuq Grek i është përgjigjur nevojave të njerëzve në lëvizje që në fillimet e para të kësaj emergjence, duke i mbështetur ata, që në mbërritjen e tyre në ishujt e vendit, dhe më pas në transitin e tyre nëpërmjet Athinës, në udhëtimin e tyre drejt veriut.

Sekretari i Përgjithshëm u takua me drejtues të Kryqit të Kuq Grek, dhe vizitoi qendrën pritëse të Eleonas në Athinë, ku kryqi i Kuq është duke shpërndarë materiale bazë ndihme. Ai vlerësoi maksimalisht përgjigjen e Kryqit të Kuq dhe të vullnetarëve të tij.

“Vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe stafi që unë takova, janë tmerrësisht të përkushtuar, dhe janë duke i trajtuar njerëzit me dashuri dhe përkujdesje,” tha ai. “Në një kontekst më të gjerë, ata janë duke demonstruar cdo ditë një përkushtim ndaj parimeve tona humanitare. Vullnetarët, janë me gjithë atë të mbingarkuar, dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë dhe t’i përgjigjemi më shpejt me të njëjtin nivel me atë të sfidave që na dalin përpara.”

Dr. Avgerinos, President i Kryqit të Kuq Grek, tha se “nevojat humanitare janë përditë e më të mëdha. Në mënyrë të vazhdueshme, ne jemi duke përshtatur përgjigjen tonë me zhvillimin e nevojave dhe ne jemi të vendosur për një qasje fleksibël dhe afatgjatë. Ne kemi besim te mbështetja e FNKK dhe shprehim vlerësimin tonë për ndihmën që kemi marrë nga rrjeti global i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, prej nga është bërë e mundur dhe përgjigja jonë humanitare.”

Më 23 tetor, FNKK ka katërfishuar Apelin e emergjencës për Greqinë, duke e çuar atë në 12.6 milion franga zvicerane për të mbështetur Kryqin e Kuq Grek për të ndihmuar më shumë se 200 000 persona. Në këtë ndihmë përfshihen dhe ndërhyrje në ndihmë të parë, përkujdesje shëndetësore emergjente, mbështetje psikologjike dhe shërbimin e kërkimit dhe të shpëtimit.

Gjatë vizitës së tij, z. Su u takua me Dr. Ioannis Mouzalas, Ministër i ngarkuar me politikat për emigracionin, z. Ioannis Amanatidis, Zëvendës i Ministër i Jashtëm, Dr. Andreas Xanthos, Ministër i Shëndetësisë dhe Ministrin e Punës, z.Yiorgos Katrougalos. Ata diskutuan mbi ecurinë e situatës dhe punën e bërë nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Kryqi i Kuq Grek dhe FNKK janë duke punuar mjaft ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe të Reformës administrative, Ministrinë e Shëndetit dhe autoritet e vendit për të siguruar një përgjigje në kohë.

 

Janë më shumë se 25 000 vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në mbarë Europën që po japin mbështetje dhe mbrojtje për qindra mijëra njerëz në nevojë në lëvizje. FNKK ka lëshuar apele emergjence për gjashtë vende në një total prej 70 milion franga zvicerane për t’i ndihmuar ata në operacionet e tyre.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe kanë lëshuar një thirrje për ta bërë universale përgjegjësinë për të mbrojtur njerëzit në nevojë dhe për të respektuar dinjitetin e tyre në çdo vend, në çdo rrethanë, pavarësisht statusit të tyre legalë; nënshkruani dhe ju peticionin www.ifrc.org/protecthumanity. Ndihmoni që përgjegjësia për Mbrojtjen e njerëzores #ProtectHumanity të jetë universale.

 

 

Federata ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe

 

Ndajeni me miqte tuaj: