(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

FNKK katërfishon apelin e Emergjencës për të përballuar nevojat urgjente humanitare në Greqi.

Greqi 1

Gjenevë /Budapest, tetor 2015 – Federata ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (FNKK) ka lëshuar një Apel ndihme emergjencë të rishikuar, në të cilën katërfishohen fondet që nevojiten për të mbështetur Kryqin e Kuq Grek në ndihmën e tij për mijëra emigrant që lëvizin nëpërmjet Greqisë.

Apeli i rishikuar kërkon 12.7 milion franga zvicerane (11.6 milion euro) do të bëjë të mundur që Kryqi i Kuq të asistojë 200 000 emigrantë në nevojë për gjashtë muajt e ardhshëm. Më shumë se 502 000 emigrant kanë mbërritur në Greqi në vitin 2015, dhjetë herë më shumë se i gjithë numri i ardhur në vitin 2014 (41038). Kohët e fundit, mesatarja ditore e emigrantëve të mbërritur është më shumë se 8 000.

“Kryqi i Kuq Grek, i është përgjigjur nevojave humanitare të emigrantëve që me mbërritjen e tyre në ishujt : Kos, Lesvos, Samos, Chios, Crete dhe Rodos, në  Idomeni nëpërmjet një pike tjetër kufitare, dhe në pikën e tranzitit në Athinë,” thotë Angelica Fanaki, që është Përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë në Kryqin e Kuq Grek. “Në mënyrë të vazhdueshme, ne jemi duke përshtatur përgjigjet tona për nevojat që janë në rritje. Ky apel i rishikuar do të na lejojë që të vazhdojmë ndihmën tonë fleksibël dhe afatgjatë për emigrantët në nevojë.”

Bashkë me rritjen e fluksit të mbërritjes dhe zgjatjet së qëndrimit në Greqi, ardhja e dimrit do të rrisë në mënyrë dramatike nevojat e emigrantëve. Apeli kërkon t’u dalë përpara sfidave dhe të mbështesë Kryqin e Kuq Grek në ndihmën e tij ndaj emigrantëve në nevojë me ushqime, ujë, kite higjienike, dhe të tjera material të nevojshme. Kryqi i Kuq do të shpërndajë batanije me izolim të lartë termik, dyshekë, veshje  dhe çanta shpine, ndërkohë që do të shpërndajë ushqim të ngrohtë dhe pije në hyrje të pikave të tranzitit. Gjithashtu, apeli do të mbështesë, dhënien e ndihmës së parë, përkujdesjen shëndetësore emergjente, veprimtarinë e kërkim shpëtimi, do të japë mbështetje psikosociale dhe do të ndihmojë në rivendosjen e lidhjeve familjare.

Drejtori në detyrë i FNKK për rajonin e Europës, z. Simon Misiri, thotë: “Dimri sjell me vete rreziqe për shëndetin dhe sigurinë për të gjithë ata që kanë udhëtuar tashmë për mijëra kilometra në kushte të një qasje të kufizuar ushqimi, të nevojave bazë, strehimi dhe përkujdesje shëndetësore. Apeli i rishikuar siguron përgatitjet e nevojshme për kohë të ftohtë dhe lejon një mbështetje fleksibël, atje ku është më i nevojshëm nëse rrugët migratore do të ndryshojnë drejtim në muajt e ardhshëm. Njerëzit që largohen për shkak të dhunës u duhet dhënë mbrojtje. Është përgjegjësia jonë kolektive që të jemi të gatshëm për t’i ndihmuar ata.”

Shoqatat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të Europës – mbështetur nga më shumë se 25 000 vullnetarë – janë duke dhënë ndihmesën e tyre për qindra mijëra njerëz në lëvizje.  FNKK ka lëshuar deri tani gjashtë Apele Ndihme në një total prej 70 milion franga zvicerane për të mbështetur përgjigjen humanitare në Turqi, Itali, Greqie, ish republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbi, dhe Hungari.

 

Ndajeni me miqte tuaj: