(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

 “Dhuro gjak, jetë dhe shpresë”, thirrja e Kryqit të Kuq Shqiptar në këtë stinë të nxehtë

13701239_1635064810141561_4359801212805094612_o

 

Temperaturat e larta të muajit korrik, nuk e kanë ndalur aspak punën promocionale dhe sensibilizuese të KKSH për dhurimin vullnetar të gjakut. Nevojat në rritje të pacientëve të ndryshëm, dhe veçanërisht të fëmijëve me Talasemi kanë nxitur me qindra vullnetar kudo në vend që të punojnë më me përkushtim, për plotësimin sa më mirë të nevojave për gjak në vend.

“Dhuro gjak, Shpëto jetë ! ” është motoja që nxiti disa institucione për të organizuar dhurim vullnetar të gjakut si në Tiranë, si “Alb Kontroll” në Rinas; Raiffeisen bank; Forcat Komando, Zall Herr; Forcat Komando, Rinas; Bashkia, Shijak; Institucioni i vuajtjes së dënimit, Peqin; Drejtoria Spitalore dhe Drejtoria e Shëndetit Publik, Kavajë; Komuna Otllak, Berat; qytetarë të thjeshtë në Korçë, në Shkodër, Tropojë dhe Fier, World Vision, Lezhë, dy fasoneri në Gjirokastër. Vetëm si kontribut i KKSH, u dhuruan gjithsej rreth 300 njësi gjaku, që krahasuar me një vit më parë vihet re një rritje e dukshme.

Ndërkohë vazhdon bashkëpunimi me Klinikën KEIT nën moton ”Edhe unë dua të jetoj. Dhuroni Gjak për fëmijët me Talasemi”. Në seancën e rradhës në këtë Klinikë u dhuruan 35 njësi, kontribut ky që do të vazhdojë dhe në muajët në vazhdim. Seanca e rradhës është caktuar më datë 4 gusht.

Gatishmëri e institucioneve për plotësimin e nevojave emergjente të shoqërisë, kryesisht për fëmijët Talasemikë, dhe me diagnoza të tjera është pjesë e traditës së dhurimit të gjakut që po krijohet si shenjë e solidaritetit qytetarë, dhe pjesë e përgjegjësisë sociale.

Drejtori i spitalit të Kavajës z. Përparim Daiu u shpreh: “Qëllimi ynë është i dyanshëm, të dhurojmë sasi gjaku të konsiderueshme për nevojat në spitale dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë për dhurimin e gjakut dhe rëndësinë e këtij akti fisnik, duke i ftuar të bëhen pjesë e këtij programi.”

Një kontribut me vlera promocionale dha këtë muaj, Programi “Verë dhe Portokalli” i TV Top-Channel në turin e tij në shumë qytete të vendit, duke bërë apel qytetarëve për dhurim vullnetar të gjakut.

Kryqi i Kuq Shqiptar përcjell një Falënderim dhe Mirënjohje të veçantëpër të gjithë dhuruesit e gjakut dhe për të gjithë drejtuesit institucioneve që i janë bashkangjitur kësaj iniciative me vlera të mëdha qytetare.

Ndajeni me miqte tuaj: