(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Dega e KK Tiranë – Një javë e ngarkuar me veprimtari humanitare

Higjene personale kopeshti 48 3

 

 

Të shumta ishin dhe kësaj jave veprimtaritë e zhvilluara nga dega në fusha të ndryshme, që nga ato të zhvilluara me fëmijët e kopshteve për Higjienën Personale e deri te kolektivat e Institucioneve që ju përgjigjën thirrjes së KKSH për të dhuruar gjak vullnetarisht.

 

Kështu, me fëmijët e vegjël të Kopshtit 28, këtu në Tiranë u zhvilluan seanca informuese mbi higjienën personale. Etika e higjienës personale dhe higjienës në komunitet, rëndësia e edukimit të saj që në një moshë të vogël ishin tematikat që u trajtuan falë gatishmërisë së vullnetarëve të degës të cilët i falënderojmë për punën e tyre.

 

Ndërkohë, në bashkëpunim me “Save the Children” vullnetarë të Ndihmës së parë demonstruan për personelin e Kopshtit 28 dhe atë të Çerdhes 28, teknikat bazë të dhënies së ndihmës së parë për fëmijët e moshës 3-6 vjeç.

 

Në kuadër të javës së katërt Botërore të Sigurisë rrugore, Dega e KK Tiranë me vullnetarët e Shkollës “Tirana Jonë ” dhe në bashkëpunim me OBSH, ARSH, Policinë e Shtetit dhe Institutin e Shëndetit Publik u organizua një sensibilizim i gjerë i kalimtarëve mbi rreziqet e shpejtësisë dhe masat për trajtim të shpejtë të të aksidentuarve në rrugë me qëllim shpëtimin e jetëve njerëzore.

 

Ndërsa me nxënësit e shkollës ” Qazim Turdiu”, instruktorja  e degës Arjana ka organizuar seanca informuese mbi rëndësinë e Ndihmës së Parë. Ndërsa vullnetarët e shkollës “Qemal Stafa” zhvillojnë seanca informimi mbi HIV/AIDS me bashkëmoshatarët e tyre.

 

Janë dy kolektiva që i janë përgjigjur thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemik e njëkohësisht: Banka e Shqipërisë dhe  “Albacall” kjo e fundit për të tretin vit radhazi. Ne i falënderojmë thellësisht për kontributin e tyre human.

 

Falënderojmë të gjithë vullnetarët e degës që i dhanë jetë këtyre veprimtarive. Kontributi i tyre është i paçmuar!

Ndajeni me miqte tuaj: