(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

Politikat

 

 LISTA E POLITIKAVE

 

 

  1. POLITIKA E MENAXHIMIT TË VULLNETARËVE
  2. POLITIKA PËR RININË
  3. POLITIKA E PËRFAQËSIMIT PËR RININË DHE GRUAN
  4. POLITIKA NE LIDHJE ME SJELLJEN NE KRYQIN E KUQ SHQIPTAR
  5. POLITIKA PËR KONFLIKTIN E INTERESAVE
  6. POLITIKA PËR LIDHJET PUBLIKE DHE MARRËDHËNIET ME MEDIAN
  7. POLITIKA PËR MARRËDHËNIET ME PARTNERËT BRENDA LËVIZJES NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE
  8. POLITIKA PËR MARRËDHËNIET ME ORGANIZATAT JO-FITIMPRURËSE
  9. POLITIKA NË FUSHËN E SHËNDETIT
  10. POLITIKA E KËRKIMIT
  11. POLITIKA NË FUSHËN SOCIALE
  12. POLITIKA RRETH GRUPEVE SHENJË DHE GRUPEVE NË NEVOJË
  13. POLITIKA NË FUSHËN E AVOKATISË
  14. POLITIKA PËR ADMINISTRIMIN
  15. POLITIKA PËR PRONAT
  16. POLITIKA PËR INFORMACION-DIFUZIONIN
  17. POLITIKA PËR TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE HUMANITARE
  18. POLITIKA FINANCIARE
  19. POLITIKA PËR RRITJEN E FONDEVE
  20. POLITIKA PËR NDIHMËN E PARË
  21. POLITIKA E ZHVILLIMIT ORGANIZATIV
  22. POLITIKA PËR PËRGATITJE DHE PËRGJIGJE PËR RASTE KATASTROFASH
  23. POLITIKA PËR NDËRGJEGJËSIMIN NDAJ RREZIKUT TË MINAVE DHE MUNICIONEVE TË PASHPËRTHYERA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

I. POLITIKA E MENAXHIMIT TË VULLNETARËVE

 

Kryqi i Kuq Shqiptar e përmbush misionin e tij duke u mbështetur në ndihmën vullnetare që ofrojnë anëtarët e shoqatës. Për këtë arsye ai e konsideron vullnetarizmin si bazën e gjithë veprimtarisë së vet humanitare. Vullnetarizmi është një nga shtatë parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Kryqit të Kuq Shqiptar si pjesë përbërëse e saj.

 

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Promovon vullnetarizmin si rrugë që nxit dhe mobilizon solidaritetin njerëzor me qëllim lehtësimin e njerëzve më në nevojë.
  2. Promovon vullnetarizmin si mënyrë për të mbështetur emancipimin e shoqërisë civile.
  3. E njeh dhe e vlerëson vullnetarizmin si mënyrë për krijimin e një rrjeti vullnetarësh të gatshëm që vepron në raste katastrofash.
  4. Konsideron vullnetar çdo person i cili i nisur nga dëshira e mirë e tij, kryen punë vullnetare për të kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në nevojë, pa përfitim material apo financiar, duke respektuar parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Shoqatës.
  5. Rekruton vullnetarë në përputhje me Statutin e Shoqatës.
  6. Siguron trajnime të përshtatshme për të aftësuar vullnetarët në realizimin sa më profesional të detyrave që kanë marrë përsipër.
  7. Krijon kushte për vullnetarët që ta njohin dhe ta kuptojnë vullnetarizmin brenda kuadrit të Kryqit të Kuq si dhe siguron zbatimin e tërësisë së politikave dhe udhëzimeve të shoqatës për vullnetarët.
  8. Siguron mjedis pune të sigurt dhe mbështetës për vullnetarët me qëllim që t’u përgjigjet në mënyrë të përshtatshme dhe të arsyeshme, nevojave të tyre.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme – 2001

 

 II. POLITIKA PËR RININË

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron shumë të rëndësishme përfshirjen e të rinjve në veprimtarinë e vet humanitare si për të kontribuar në edukimin qytetar të brezit të ri, ashtu edhe për ta integruar brenda vetes këtë forcë të jashtëzakonshme vullnetare. Misioni humanitar i Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës në Kuqe në përgjithësi, dhe i Kryqit të Kuq Shqiptar në veçanti, për të parandaluar dhe zbutur vuajtjet njerëzore është një angazhim me të cilin të rinjtë e identifikojnë lehtësisht veten.

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar:

  1. E konsideron të domosdoshme nxitjen dhe përkrahjen e rinisë që të përqafojë vlerat humanitare të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, sepse ajo :
    • Përbën pjesën më aktive të popullsisë,
    • Përbën në Shqipëri një grup shumë të gjerë të komunitetit,
    • Është e hapur ndaj problemeve të njerëzve që vuajnë dhe e prirur për të ndihmuar, nisur prej karakteristikave të moshës si idealizmi, energjia, dëshira për ndryshim dhe për një botë më të mirë.

2. Inkurajon dhe motivon shpirtin human të të rinjve me qëllim përfshirjen e tyre në të gjitha aktivitetet që zhvillon Shoqata në fushat e përcaktuara në Strategjitë e zhvillimit.

3. Konsideron “të rinj” djemtë dhe vajzat nga 16-25 vjeç duke u kushtuar njëkohësisht vëmendje edhe atyre që janë nën 16 vjeç, si anëtarë dhe vullnetarë të së ardhmes.

4. Siguron programe trajnimi për të rinjtë vullnetarë

5. Motivon të rinjtë vullnetarë për t’u përfshirë në organet e zgjedhura dhe në procesin e rëndësishëm të vendimmarrjes.

6. U jep përparësi veprimtarive të shoqatës me të rinjtë e shkollave të mesme dhe universiteteve.

7. Nxit bashkëpunimin me Shoqatat simotra dhe strukturat rinore brenda Lëvizjes si dhe bashkëpunimin me organizata të tjera rinore në vend.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë II të Përgjithshme – 1995

 

 III. POLITIKA E PËRFAQËSIMIT PËR RININË DHE GRUAN

Kryqi i Kuq Shqiptar synon të ketë në të gjitha hallkat e strukturave të veta, përfaqësim sa më të mirë të të gjitha grupeve shoqërore, pa dallime krahinore, sociale, formimi, fetare, racore, profesioni, moshe, gjinie etj. Ai e konsideron shumë të rëndësishme që në angazhimin në veprimtarinë e shoqatës, në përfaqsimin në forume apo në përfitimin prej programeve të ndryshme, të respektohen raporte të drejta përpjestimore të grupeve të mësipërme, sidomos të të rinjve dhe grave.

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH :

PËR RININË :

  1. Thekson domosdoshmërinë për ta nxitur dhe përkrahur rininë që të përqafojë vlerat humanitare të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Kryqit të Kuq Shqiptar, sepse ajo :
    • përbën pjesën më aktive të popullsisë,
    • përfshin në Shqipëri një grup shumë të gjerë të komunitetit,
    • është e hapur ndaj problemeve të njerëzve që vuajnë dhe e prirur për të ndihmuar nisur prej karakteristikave të moshës si idealizmi, energjia, dëshira për ndryshim dhe për një botë më të mirë.
  1. I konsideron të rinjtë, nga njëra anë, si aktorë (vullnetarë) të veprimtarisë së shoqatës dhe nga ana tjetër, si përfitues të saj (prej programeve të formimit etj).
  2. Inkurajon zgjedhjen e të rinjve në të gjitha forumet drejtuese të shoqatës në zbatim të Statutit dhe të Rregullores së Brendshme.

PER GRUAN :

  1. Nxit përfaqësimin e grave në të gjitha nivelet drejtuese të shoqatës.
  2. Bën kujdes që të respektohet barazia gjinore, e përfituesve të programeve të shoqatës.
  3. I vetëdijshëm për vulnerabilitetin e grave në kohë katastrofash, ose konfliktesh, tregohet i vëmendshëm dhe inkurajon ndihmë të veçantë në këtë drejtim kur është e mundur.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme, 2002

 

 

 IV. POLITIKA NE LIDHJE ME SJELLJEN NE KRYQIN E KUQ SHQIPTAR

 Kryqi i Kuq Shqiptar kërkon një sjellje të mirë etike, morale dhe të përgjegjshme nga anëtarët e governancës, të menaxhimit dhe vullnetarët e tij. Kjo nënkupton një përdorim të drejtë (në grup dhe si individë), gjatë përfaqësimit të Shoqatës, të autoritetit që vjen si rezultat i pozicionit që kanë në shoqatë.

Në përputhje me këtë vlerësim:

 

  1. Anëtarët e governancës, të menaxhimit dhe vullnetarët veprojnë në perputhje me Ligjin e Kryqit të Kuq Shqiptar, Statutin dhe Rregulloren e Brendshme të tij, Parimet Themelore të Levizjes dhe politikat e miratuara.
  2. Anëtarët e governancës, të menaxhimit dhe vullnetarët veprojnë duke mbrojtur interesat e shoqatës dhe duke respektuar politikën e konfliktit të interesave.
  3. Anëtarët e governancës, jashtë funksionit të tyre në shoqatë, nuk mund të ushtrojnë autoritet mbi punonjësit e shoqatës. Të punësuarit gjithashtu, nuk mund të marrin përsipër të kryejnë veprime që u takojne të zgjedhurve.
  4. Anëtarët e governancës, menaxhimit apo vullnetarët, kanë të drejtë ta përfaqësojnë shoqatën në veprimtaritë publike vetëm në përputhje me detyrat dhe mandatin e tyre.
  5. Anëtarët e governancës, menaxhimit apo vullnetarët, duhet të respektojnë konfidencialitetin e Shoqatës.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme, 2002

 

 V. POLITIKA PËR KONFLIKTIN E INTERESAVE

 Qëllimi i kësaj politike është të vendosë një standard sjelljeje të zbatueshëm për të gjithë anëtarët e governancës, menaxhimit dhe vullnetarët e Shoqatës. Ky standard është i nevojshëm për të pasur besimin e publikut, për të ruajtur e forcuar imazhin, për të siguruar ruajtjen e integritetit të shoqatës dhe për të promovuar veprimet humanitare të saj. Anëtarëve të governancës, menaxhimit apo vullnetarëve të shoqatës, u kërkohet që kurdoherë të veprojnë në të mirë të saj dhe për të arritur këtë qëllim, duhen respektuar normat që rrjedhin prej politikës së konfliktit të interesave.

Konflikt interesash kemi atëherë kur interesat e një individi ose grupi në Kryqin e Kuq Shqiptar, bien ndesh me interesat e shoqatës.

Në përputhje me këtë vlerësim:

  1. Anëtarët e governancës, menaxhimit dhe vullnetarët, në gjithë veprimtarinë e tyre, nuk duhet të krijojnë konflikte me interesat e Shoqatës.
  2. Anëtari i governancës dhe menaxhimit, në raste kur ka interesa ekonomike si palë me shoqatën, duhet t’i deklarojë ato dhe të tërhiqet nga vendimmarrja.
  3. Anëtarët e governancës dhe menaxhimit duhet që të garantojnë që veprimet e tyre të mos e angazhojnë shoqatën me përgjegjësi ligjore për shkaqe kontraktuale, materiale apo financiare, nëse nuk kanë mandatin për ta bërë këtë.
  4. Në Kryqin e Kuq Shqiptar nuk duhet që anëtarët e governancës dhe të menaxhimit të kenë lidhje të afërta farefisnore.
  5. Të zgjedhurit dhe të punësuarit nuk mund të ndërrojnë pozicionin e tyre në shoqatë nga një grup te tjetri (nga governanca në menaxhim ose anasjellas), pa kaluar një periudhë së paku dy vjeçare nga lënia e njërës detyrë dhe marrja e tjetrës. Rastet që nuk përbëjnë konflikt interesi, i përcakton Këshilli Drejtues.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

 VI. POLITIKA PËR LIDHJET PUBLIKE DHE MARRËDHËNIET ME MEDIAN

 

Kryqi i Kuq Shqiptar i konsideron lidhjet publike dhe marrëdhëniet me median si shumë të rëndësishme për mbrojtjen dhe forcimin e imazhit të vet dhe për përçimin e vlerave humanitare, te publiku i gjerë.

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH :

 

  1. Eshtë transparent dhe i hapur me mediat dhe publikun.
  2. Pasqyron në vazhdimësi veprimtarinë e vet në media për t’ia bërë të njohur publikut të gjerë.
  3. Përçon nëpërmjet mediave, parimet themelore dhe vlerat humanitare të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, pjesë e së cilës është edhe Kryqi i Kuq Shqiptar .
  4. Përçon nëpërmjet mediave njohuri mbi Konventat e Gjenevës dhe Protokollet shtesë si dhe mbi rolin e Kryqit të Kuq për lindjen, promovimin dhe respektimin e tyre.
  5. Ruan në çdo rast etikën dhe eviton polemikat në media për hir të neutralitetit, ruajtjes së imazhit dhe interesit të përfituesve por sqaron, shpjegon, dhe saktëson informacione që lidhen me veprimtarinë e vet.
  6. Nuk ka parapëlqim për media të caktuara në komunikimin me publikun e gjerë.

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

 VII. POLITIKA PËR MARRËDHËNIET ME PARTNERËT BRENDA LËVIZJES NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ DHE TË GJYSMËHËNËS SË KUQE

 

KKSH si pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, i konsideron marrëdhëniet me partnerët e tjerë të Lëvizjes, shumë të rëndësishme për përmbushjen e misionit të vet humanitar. Ato janë marrëdhënie partneriteti të cilat bazohen rigorozisht mbi shtatë parimet e Lëvizjes dhe mbështeten në Strategjitë e Lëvizjes, të Federatës, në marrëveshjen e Seviljes dhe në veçanti, në Strategjitë periodike të zhvillimit të vetë Shoqatës.

Në përputhje me këtë vlerësim KKSH :

  1. Si anëtar i Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, mban marrëdhënie të ngushta me Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
  2. Vendos dhe mban lidhje me Shoqatat Simotra në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe, mbështetur në Parimet e Lëvizjes dhe misionin e përbashkët humanitar.
  3. Bashkëpunon me Shoqatat Simotra për programe të veçanta në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me ndërmjetësinë e Federatës dhe përfaqësuesve të saj.
  4. Nxit binjakëzimin e degëve te veta me seksione lokale të shoqatave simotra me bashkërendimin dhe miratimin e Këshillit Drejtues dhe të Sekretariatit.
  5. Vendos dhe mban lidhje me Shoqatat Simotra të rajonit bazuar në parimet e Lëvizjes dhe në frymën e bashkëpunimit rajonal.
  6. Vendos dhe mban lidhje me Shoqatat Simotra nëpërmjet delegacioneve ose delegatëve të këtyre shoqatave, që mund të hapin ose dërgojnë në vendin tonë, kur një gjë e tillë vendoset paraprakisht me mirëkuptimin e të dyja palëve, sidomos kur kjo diktohet nga situatat emergjente të paparashikuara.
  7. Në raste të veçanta, me miratim të veçantë, pranon veprimtari te përbashkëta me shoqatat simotra që nuk janë specifikisht të përmendura në Strategji por që diktohen nga nevoja te caktuara të vendit ose Shoqatës.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

 

 

 VIII. POLITIKA PËR MARRËDHËNIET ME ORGANIZATAT JO – FITIMPRURËSE (OJF)

 

 Kryqi i Kuq Shqiptar i ndërgjegjshëm se OJF-të janë aktorë të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë civile, i konsideron ato partnerë të dobishëm për bashkëpunim në përmbushjen sa më mirë, të misionit te vet humanitar.

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH :

 

  1. Respekton vizionin, misionin dhe parimet e Shoqatës, gjatë bashkëpunimit me OJF-të e ndryshme.
  2. Priret të vendosë marrëdhënie të privilegjuara bashkëpunimi, me OJF-të me karakter humanitar dhe mision të përafërt me atë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Në këtë kuadër ai:
    1. shkëmben informacion dhe përvojë nëpërmjet takimeve, seminareve, mbledhjeve etj.
    2. bashkërendon dhe bashkëpunon në terren duke u munduar të mënjanojë dublimet gjatë operacioneve të shpërndarjeve të ndihmave etj.
  3. Sensibilizon, bën avokaci në interes të njerëzve në nevojë dhe bashkëpunon në këtë drejtim me OJF-të.
  4. Mban marrëdhënie korrekte dhe respekton me rigorozitet marrëveshjet që mund të lidhë me OJF donatore.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

 

 

IX. POLITIKA NË FUSHËN E SHËNDETIT

 

Kryqi i Kuq Shqiptar si ndihmës i autoriteteve shëndetësore e konsideron veprimtarinë në fushën e shëndetit dhe veçanërisht në atë të edukimit shëndetësor, si prioritare në realizimin e misionit të vet humanitar për të ndihmuar grupet në nevojë.

Në përputhje me këtë vlerësim KKSH :

  1. I jep përparësi në hapësirën e gjerë të edukimit shëndetësor, edukimit shëndetësor në bashkësi në fushën e :
  2. Informohet vazhdimisht për gjendjen shëndetësore të popullatës nëpërmjet konsultimit të treguesve shëndetësorë (vdekshmërisë foshnjore dhe nënave gjatë lindjes, shkallës së aborteve, sëmundshmërisë dhe kequshqyerjes) marrë prej vlerësimeve që organizon vetë shoqata dhe prej strukturave shtetërore shëndetësore, organizatave qeveritare dhe joqeveritare.
  3. Shëndetit të nënës dhe fëmijës,
  4. Higjienës personale,
  5. Higjienës komunitare,
  6. Parandalimit të sëmundjeve infektive, veçanërisht Sida-s.

3. Rekruton dhe trajnon gjithnjë e më shumë vullnetarë profesionalë dhe jo profesionalë, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupet shenjë.

4. Orientohet tërësisht drejt problemeve të veçanta që lindin në situata emergjente (epidemi , katastrofa , etj ) :

  • duke sensibilizuar publikun në lidhje me situatën shëndetësore të krijuar;
  • duke ndihmuar popullatën e prekur me medikamente, vaksina dhe shërbime të tjera shëndetësore;
  • duke ndihmuar institucionet shëndetësore, me medikamente dhe materiale mjekësore adekuate.

5. Punon për sensibilizimin e popullatës për dhurimin falas të gjakut si akt human dhe qytetar.

Bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, strukturat shëndetësore dhe arsimore, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, të cilat punojnë në fushën e shëndetit.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në formën e mësipërme, në Asamblenë VI të Përgjithshme – 2002

 

X. POLITIKA E KËRKIMIT

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron pjesë të rëndësishme të misionit te vet humanitar, kërkimin e personave të humbur dhe rivendosjen e lidhjeve familjare në situata konfliktuale, fatkeqësish natyrore, migrimi apo në situata të tjera humanitare që kanë nevojë për ndërhyrjen e Kryqit të Kuq.

 

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH :

 

  1. Siguron një shërbim kërkimi operacional dhe vetë mbështetës me qëllim që të ofrojë ndihmë për shqiptarë dhe shtetas të huaj, të cilët kanë nevojë për këto shërbime.
  2. Ndihmon në lokalizimin e vendodhjes së individëve që janë ndarë me të afërmit e tyre si rezultat i luftës, konflikteve, turbullirave civile, fatkeqësive natyrore, migrimit, trafikimit të qenieve njerëzore ose rrethana të tjera të cilat kërkojnë ndërhyrje humanitare.
  3. Siguron shërbimin e ribashkimit të familjes për individë të pambrojtur që të kthehen në Shqipëri.
  4. Shkëmben “mesazhe të Kryqit të Kuq” midis të afërmve të ndarë kur nuk ka mënyra të tjera komunikimi në situata konflikti apo fatkeqësish natyrore.
  5. Vendos dhe ruan marrëdhënie pune aktive me partnerët e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, me autoritetet dhe OJF-të lokale, për të lehtësuar bashkëpunimin në lidhje me çështjet e kërkimit.
  6. Kryen fushata sensibilizimi të publikut brenda dhe jashtë Shqipërisë me qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me Shërbimin e Kërkimit të Kryqit të Kuq Shqiptar.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

XI. POLITIKA NE FUSHEN SOCIALE

 

Kryqi i Kuq Shqiptar, mbështetur në misionin e tij për të ndihmuar njerëzit më në nevojë për përmirësimin e gjendjes së tyre sociale, e konsideron shumë të rëndësishme veprimtarinë në fushën sociale.

 

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH:

 

  1. Bën vlerësime të vazhdueshme mbi vulnerabilitetin në komunitet dhe evidenton më nevojtarët e kategorive vulnerable.
  2. Përcakton grupet prioritare për ndërhyrje sociale.
  3. Kryen veprimtari konkrete në ndihmë të përfituesve.
  4. Synon të përfshijë përfituesit në të gjitha etapat e realizimit të një projekti social.
  5. Siguron trajnime të përshtatshme në funksion të rritjes së njohurive të vullnetarëve që veprojnë në fushën sociale, për një shërbim sa më të kualifikuar për përfituesit.
  6. Bashkëpunon ngushtë me autoritetet shtetërore qendrore dhe lokale duke ruajtur në çdo rast identitetin e shoqatës në përputhje me parimet dhe Strategjinë e Lëvizjes.
  7. Bashkëpunon me organizatat e tjera joqeveritare që veprojnë ne fushën sociale.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë IV të Përgjithshme , 2000

 

 

 

XII. POLITIKA RRETH GRUPEVE SHENJË DHE GRUPEVE NË NEVOJË

 

 

Kryqi i Kuq Shqiptar, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes dhe në kuadër të vizionit, misionit dhe qëllimeve të veta strategjike, identifikon në vazhdimësi dhe punon me përparësi me grupet shenjë dhe grupet në nevojë të përcaktuara.

 

Në përputhje me këtë, Kryqi i Kuq Shqiptar:

  1. Njeh grupet e mëposhtme si grupe prioritare shenjë dhe nevojë:

Grupe shenjë:

Publiku i gjerë, nxënësit dhe studentët, media, nënat e reja, fëmijët, të rinjtë, grupe të veçanta të rrezikuara, institucionet qeveritare, forcat e armatosura, strukturat shtetërore të emergjencave, donatorët, partnerët, OJF-të, vullnetarët, anëtarët e governancës, të punësuarit e Selisë dhe të Degëve.

Grupe në nevojë:

Familjet e varfra me shumë anëtarë, fëmijët e rrezikuar, pleqtë e vetmuar, jetimët, gratë në nevojë, handikapët, grupe të prekura nga fatkeqësi natyrore, konflikte të armatosura apo aksidentet e ndryshme, popullsia që vuan pasojat e migrimit, romët.

  1. Ndan grupet shenjë dhe grupet në nevojë në përputhje me veprimtaritë që kryen.
  2. Bën në vazhdimësi identifikimin e grupeve të reja shenjë ose në nevojë, në varësi të situatave të reja që krijohen dhe të mundësive të veta.

 

 Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë IV të Përgjithshme , 2000

 

 

 

XIII. POLITIKA NË FUSHËN E AVOKATISË

 

 

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron avokatinë në favor të shtresave më nevojtare si pjesë të rëndësishme të misionit të vet humanitar. Avokatia për Kryqin e Kuq Shqiptar është angazhimi në mbrojtje të njerëzve në nevojë duke folur në emër të tyre, duke ngritur zërin në përkrahje të tyre, duke ndërmjetësuar për ta.

 

Nisur nga ky vlerësim, KKSH :

 

  1. Synon që nëpërmjet avokatisë, të nxisë strukturat shtetërore dhe jo shtetërore që t’u përgjigjen me efektivitet nevojave të njerëzve në nevojë.
  2. Përcakton si rrugë për bërjen e avokatisë, dialogun me autoritetet publike dhe palët e tjera të interesuara, kontaktet, komunikimin, konferencat e shtypit, qëndrimet publike të shoqatës etj.
  3. Gjatë procesit të avokatisë mund të kërkojë mbështetjen dhe ndihmën konkrete të partnerëve të tjerë të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
  4. E përdor avokatinë si rrugë për përkrahjen dhe nxitjen e vullnetarizmit në shërbim të humanizmit.
  5. Përcakton objektiva të sakta për çdo proces avokatie dhe në fund bën vlerësimin e tyre. Avokatinë e organizon si proces rigoroz, të strukturuar mirë dhe transparent.
  6. Bën kujdes të veçantë gjatë proceseve të avokatisë që të ruajë marrëdhëniet pozitive që ka me qeverinë dhe organizmat e tjera dhe që të evitojë faktorët që mund t’i dëmtojnë këto marrëdhënie.
  7. Gjatë zbatimit të avokatisë, respekton parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

 

XIV. POLITIKA PËR ADMINISTRIMIN

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron shumë të vlefshëm miradministrimin e vlerave monetare e materiale të tij, pa të cilat është i pamundur realizimi i aktivitetit humanitar.

Në përputhje me këtë, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. I konsideron pasuritë në Seli dhe në degë si pjesë përbërëse të pasurisë së vet
  2. Harton e zbaton rregulloren për administrimin e :

 

  • vlerave monetare,
  • mallrave,
  • godinave dhe ambienteve të tjera në pronësi,
  • mjeteve të transportit,
  • mjeteve të tjera të punës.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002

 

XV. POLITIKA PËR PRONAT

 

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron marrjen në pronësi të vet të pronave të dikurshme, si një ndër synimet prioritare, si një kërkesë legjitime e cila rrit qëndrueshmërinë e tij financiare, vlerat materiale dhe kapacitetet e shoqatës. Ai kërkon që në përputhje me legjislacionin, t’i kthehen të gjitha ish pronat e veta.

 

Për këtë Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. I jep përparësi punës për kthimin e pronave, kryesisht sipas renditjes së mëposhtme:
  2. Mban të aktivizuar një Komision të posaçëm të Pronave pranë Këshillit Drejtues për çështje të administrimit të pronave.
  3. Kërkon t’i njihet pronësia dhe kompensimi sipas ligjit, në pamundësi të kthimit fizik të pronës.
  4. Ndërmerr hapat e duhur ligjorë për ndjekjen e kthimit përfundimtar të pronave.
  5. Kryen identifikimin e saktë dhe të dokumentuar të të gjitha pronave.
    1. kthimi i pronave të lira,
    2. kthimi i pronave në përdorim nga shteti,
    3. kthimi i pronave në përdorim nga biznesi dhe subjektet private,
    4. kthimi i pronave në përdorim nga kultet fetare.

6. Siguron burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për zgjidhjen e çështjes së pronave.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VI të Përgjithshme , 2002 –

 

 

XVI. POLITIKA PËR INFORMACION – DIFUZIONIN

 

Kryqi i Kuq Shqiptar duke vlerësuar rëndësinë e vlerave humanitare që përcjellin Parimet Themelore dhe vetë Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, e konsideron veprimtarinë në fushën e informimit dhe përhapjes së tyre (Informacion-Difuzionin), si shumë të rëndësishëm për përçimin e këtyre vlerave në publikun e gjerë, duke u përpjekur të japë kështu, kontributin e vet në konsolidimin e shoqërisë civile në vend.

Në përputhje me këtë vlerësim, KKSH :

  1. Përgatit, boton dhe shpërndan informacione dhe njohuri mbi Parimet Themelore, Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar, të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare etj.
  2. Trajnon vullnetarët e tij në lidhje me promovimin e Parimeve Themelore dhe Vlerave Humanitare të Lëvizjes.
  3. Bashkëpunon ngushtë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në lidhje me aktivitetet e promovimit të Parimeve Themelore, Vlerave Humanitare etj.
  4. Promovon respektimin e Emblemës së Kryqit të Kuq si edhe rritjen e nivelit të njohurive të publikut të gjerë për përdorimin e Emblemës dhe për shmangien e abuzimeve në përputhje me Ligjin për Emblemën e Kryqit të Kuq.
  5. Ndërmerr aktivitete të mirëfillta për promovimin e Vlerave Humanitare.
  6. Boton çdo tre muaj Revistën e Kryqit të Kuq Shqiptar si organin qendror të shoqatës.
  7. I kushton rëndësi të veçantë dhe zhvillon më tej komunikimin e brendshëm në shoqatë.
  8. Hap dhe mirëmban faqe në internet duke marrë në konsideratë kështu rëndësinë gjithnjë në rritje të këtij mjeti informacioni.
  9. Ndërmerr vëzhgime për vlerësimin e imazhit të vet dhe të Lëvizjes, në publikun e gjerë dhe nxjerr mësime e zhvillon aktivitete për ta rritur këtë imazh.

 

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VII të Përgjithshme – 2003

 

 VII. POLITIKA PËR TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE HUMANITARE

 

Kryqi i Kuq Shqiptar kupton me të Drejtë Ndërkombëtare Humanitare, tërësinë e traktateve ndërkombëtare (në veçanti katër Konventat e Gjenevës dhe dy Protokollet shtesë) që kanë të bëjnë me trajtimin e problemeve humanitare të shkaktuara si rezultat i konflikteve të armatosura. Duke qenë se Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e një Lëvizjeje të lindur nga dëshira për të ndihmuar pa dallim viktimat në fushën e betejës, ai përpiqet të parandalojë dhe të lehtësojë vuajtjen njerëzore kudo ku shfaqet. Në këtë kuadër, ai përhap njohuritë mbi të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare (DNH), duke e konsideruar këtë si një pjesë shumë të rëndësishme të misionit të tij humanitar.

 

Në përputhje me këtë, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Përhap, boton dhe shpërndan materiale të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare për publikun e gjerë dhe për grupet shenjë të interesuara.
  2. Bashkëpunon ngushtë dhe mbështet iniciativat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) si promotor dhe garant i së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare.
  3. Zhvillon në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, seanca informimi me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë mbi të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe rolin e Kryqit të Kuq në situata konfliktesh të armatosura.
  4. Nxit në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, autoritetet shtetërore në njohjen, miratimin dhe aderimin në aktet ndërkombëtare, rrjedhojë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare.
  5. Nxit difuzionin e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare nga autoritetet përkatëse shtetërore, në përputhje me Konventat e Gjenevës.
  6. Punon në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe institucionet përkatëse shtetërore, për futjen në programet shkollore të elementëve të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, për të bërë të mundur edukimin humanitar të brezave të rinj.
  7. Përçon nëpërmjet mediave, njohuri mbi Konventat e Gjenevës dhe Protokollet shtesë si edhe rolin e Kryqit të Kuq për lindjen, promovimin dhe respektimin e tyre.
  8. Merr iniciativa humanitare dhe mbështet iniciativa mbarë botërore në përputhje me parimin e zvogëlimit sa të jetë e mundur, të dhimbjes njerëzore në konfliktet e armatosura.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë VII të Përgjithshme – 2003

 

 

 

 XVIII. POLITIKA FINANCIARE

 

 

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron si shumë të rëndësishëm mirë administrimin e fondeve dhe pasurive të tjera të veta, duke i vënë ato në shërbim të përmbushjes së misionit të vet humanitar me profesionalizëm dhe transparencë, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në dokumentet bazë të shoqatës.

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Punon brenda një sistemi unik financiar – administrativ në Seli dhe në degë.
  1. Monitoron çdo vit aktivitetin e tij financiar nëpërmjet kryerjes së kontrollit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
  1. Funksionon financiarisht dhe administrativisht në përputhje me standardet e miratuara të institucionit (statuti, rregulloret, udhëzuesit, vendimet).
  1. Rregullorja e administrimit financiar dhe udhëzimet e tjera financiare mbështeten në ligjet e shtetit shqiptar.
  1. Krijon një fond rezervë, i cili mund të preket vetëm me miratim të Këshillit Drejtues.
  1. Viti financiar përputhet me vitin kalendarik (1 janar – 31 dhjetor) dhe buxheti i KKSH-së miratohet nga Asambleja e Përgjithshme.
  1. Të gjitha pasuritë në Seli dhe në degë, janë pasuri e të gjithë shoqatës dhe askush nuk ka të drejtë t’i tjetërsojë ato.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme, 2001

 

 

 

 XIX. POLITIKA PËR RRITJEN E FONDEVE

 

Kryqi i Kuq Shqiptar i konsideron aktivitetet për rritjen e fondeve shumë të rëndësishme si për shtimin e burimeve materiale dhe financiare për të ndihmuar më shumë njerëz në nevojë, ashtu edhe për rritjen e imazhit të tij pranë publikut të gjerë. Rritja e fondeve është një nga elementët e zhvillimit të kapaciteteve të shoqatës në shërbim të misionit humanitar.

 

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Konsideron aktivitete të rritjes së fondeve, aktivitetet e planifikuara rregullisht që kanë për rezultat donacione të llojeve të ndryshme.
  2. I organizon veprimtaritë e rritjes së fondeve të lidhura ngushtë me imazhin dhe marrëdhëniet me publikun.
  3. Harton një plan pune të qartë dhe realist për rritjen e fondeve që bazohet në planin strategjik të zhvillimit të shoqatës.
  4. Synon rritjen e kapaciteteve në drejtim të planizimit dhe zbatimit të veprimtarive të rritjes së fondeve.
  5. Ndikon në përmirësimin e legjislacionit për sigurimin e financimeve në favor të veprimtarisë humanitare.
  6. Mban afër dhe falenderon donatorët, si dhe u raporton mbi përdorimin e donacioneve të tyre.
  7. Organizon rregullisht fushata publike për mbledhjen e fondeve.
  8. Organizon aktivitete për mbledhje fondesh në kuadër të ditëve të shënuara.
  9. Pranon sponsorizime brenda parimeve dhe etikës së shoqatës.
  10. Përpunon Kodin Etik për personat që veprojnë në fushën e rritjes së fondeve.
  11. Harton dhe zbaton standarde mbi donacionet në natyrë.
  12. Organizon “kurse” për gjenerim fondesh.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme, 2001

 

 

XX. POLITIKA PËR NDIHMËN E PARË

 

Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron të rëndësishme dhënien e ndihmës së parë për njerëzit të cilëve mund t’u rrezikohet jeta ose shëndeti. Ai e konsideron gjithashtu të rëndësishme ndërgjegjësimin e publikut për nevojën dhe domosdoshmërinë e dhënies së kësaj ndihme, si dhe përgatitjen e tij me shprehitë e dhënies së kësaj ndihme në rast plagosjesh në aksidente, sëmundjesh të menjëhershme dhe helmimesh jetëkërcënuese.

Me ndihmë të parë kuptojmë një ndërhyrje të shpejtë fillestare mbrojtëse ose jetëshpëtuese, për të zvogëluar pasojat derisa gjendja e të rrezikuarve të normalizohet ose derisa atyre t’u bëhet e mundur ndihma e specializuar mjekësore.

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Zhvillon trajnime specifike të ndihmës së parë për vullnetarët e tij, publikun dhe grupet shenjë të interesuara.
  2.  Punon në drejtim të ndihmës së parë me grupet prioritare më të rrezikuara ose grupet që profesionalisht kanë kontakt me publikun e gjerë, (drejtuesit e automjeteve, policët, zjarrfikësit, etj), të cilët janë identifikuar si të tillë nga vlerësimet dhe vëzhgimet e deri tanishme.
  3. Zhvillon kurse të ndihmës së parë me drejtuesit e rinj në automjeteve.
  4. Ofron dhe zhvillon kurse të ndihmës së parë për punonjësit e firmave prodhuese e ndërtuese.
  5. Organizon fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për ndihmën e parë dhe parandalimin e aksidenteve.
  6. Siguron vendosjen e një sistemi të vazhdueshëm monitorimi dhe vlerësimi, sipas standardeve adekuate.
  7. Ofron shërbime të ndihmës së pare gjatë katastrofave të ndryshme, me anë të vullnetarëve të tij të trajnuar.
  8. Merr masa për rritjen e kapaciteteve të tij në drejtim të përmirësimit të burimeve njerëzore dhe financiare në përgjigje të situatave emergjente.
  9. Punon për të ngritur në mënyrë graduale shërbimin e shpëtimit në ujë.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme, 2001

 

 XXI. POLITIKA E ZHVILLIMIT ORGANIZATIV

 

Forcimi i kapaciteteve organizative dhe rritja e nivelit të profesionalizmit, së bashku me strukturën e menaxhimit të vullnetarëve dhe aktivitetet e kërkimit të fondeve, janë elementë të Zhvillimit Organizativ. Kryqi i Kuq Shqiptar e konsideron Zhvillimin Organizativ si faktor shumë të rëndësishëm për të pasur standardet e një shoqatë që funksionon mirë, me qëllim përmbushjen e misionit të vet humanitar.

Në përputhje me këtë vlerësim, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Zhvillon dhe përsos më tej funksionimin dhe rolin vendimmarrës të governancës përmes realizimit të mbledhjeve statutore në të gjitha nivelet.
  2. Vlerëson në mënyrë të vazhdueshme dhe zhvillon kapacitetet njerëzore, financiare, materiale, institucionale për t`iu përgjigjur nevojave të grupeve përfituese të identifikuara për tu ndihmuar.
  3. Integron që në hapat e parë të vlerësimit të nevojave dhe hartimit të projekt-propozimeve, partnerët dhe përfituesit e programeve e projekteve të KKSH-së.
  4. Harton dhe zhvillon programe në përputhje me nevojat e identifikuara.
  5. I jep përparësi realizimit me cilësi të aktiviteteve të zhvilluara.
  6. Harton politika për fushat e aktiviteteve të KKSH-së dhe kryen rishikimin periodik të tyre.
  7. Inkurajon pjesëmarrjen e të rinjve në procesin vendimmarrës.
  8. U siguron trajnim përfaqësuesve të rinj të governancës të të gjitha niveleve.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme, 2001

 

XXII. POLITIKA PËR PËRGATITJE DHE PËRGJIGJE NË RASTE KATASTROFASH

 

Kryqi i Kuq Shqiptar përcakton si prioritetin kryesor të veprimtarisë së tij, përgatitjen dhe përgjigjen ndaj katastrofave, për të kontribuar në përmbushjen e disa prej nevojave bazë të viktimave të shkaktuara prej tyre. Në zbatim të dokumentave kryesore të shoqatës (Statuti, Rregullorja e Brendshme dhe Plani i Përgatitjes dhe Përgjigjes për raste katastrofash), ai angazhohet për të realizuar shërbime cilësore sepse e konsideron përgatitjen dhe përgjigjen ndaj katastrofave:

  1. detyrë të zhvillimit të kapaciteteve të shoqatës;
  1. detyrë të të gjithë programeve të shoqatës;
  2. përgatitje për raste konfliktesh;
  3. me drejtim kryesor, ndërgjegjësimin e komunitetit për rreziqet e mundshme që vijnë nga katastrofat.

Në zbatim të këtij vlerësimi, Kryqi i Kuq Shqiptar:

  1. Ngre struktura me vullnetarë dhe i trajnon ata në përputhje me fushat e përcaktuara në të cilat vepron në raste katastrofash.
  2. Ndërhyn në përputhje me kapacitetet e tij në ato raste kur ndodhin fatkeqësi që rrezikojnë mbijetesën e komunitetit nga pamundësia për të përballuar nevojat bazë të jetesës.
  3. Merr pjesë në vlerësimin e menjëhershëm të nevojave të viktimave të katastrofës nëpërmjet vullnetarëve të vet trajnuar.
  4. Siguron asistencë ushqimore dhe joushqimore për viktimat e katastrofave gjatë fazës së emergjencës për një maksimum prej 8.000 personash, për një periudhë një mujore, në përputhje me standartet e pranuara nga Federata Ndërkombëtare.
  5. Kur nevojat në përgjigje të katastrofës i kalojnë kapacitetet e përcaktuara nga kjo politikë, Kryqi i Kuq Shqiptar lëshon Apel Emergjence për Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe donatorë të tjerë potencialë brenda dhe jashtë vendit.
  6. Organizon sistem informacioni për situatat emergjente.
  7. Ofron shërbimet të Ndihmës së Parë me anë të vullnetarëve të trajnuar dhe përgatitet për të ofruar dhe mbështetje psikologjike.
  8. Realizon sensibilizimin e nevojshëm të komunitetit për mbrojtjen e shëndetit të rrezikuar nga pasojat e katastrofës.
  9. Ofron shërbimin e rivendosjes së lidhjeve familjare të ndërprera si rezultat i katastrofës.
  10. KKSH merr në konsideratë dhe zbaton bazën ligjore në fuqi për raste katastrofash në vendin tonë. Njëkohësisht bashkëpunon me të gjitha institucionet e specializuara dhe të tjera të interesuara brenda dhe jashtë vendit që veprojnë në fushën e menaxhimit të katastrofave.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë në Asamblenë V të Përgjithshme, 2001

 

 

XXIII. POLITIKA PËR NDËRGJEGJËSIMIN NDAJ RREZIKUT TË MUNICIONEVE TË PASHPËRTHYERA, MINAVE ETJ.

 

 Kryqi i Kuq Shqiptar, i ndërgjegjshëm për nevojën humanitare për të sensibilizuar ndaj rrezikut që paraqesin municionet e pashpërthyera, minat etj për grupe, familje dhe individë në zona të caktuara të vendit, ka marrë përgjegjësinë për të kontribuar në këtë fushë.

Në përputhje me këtë, Kryqi i Kuq Shqiptar :

 

  1. Punon për edukimin dhe ndërgjegjësimin ndaj municioneve të pashpërthyera, minave etj.
  2. Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me organizmat partnere vetëm në nivel këshillimor dhe shkëmbim informacioni.
  3. Bashkëpunon me Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe dhe në mënyrë të veçantë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në përpjekjet për të rritur sensibilizimin mbarë botëror për sa i përket rrezikut të municioneve të pashpërthyera, minave etj. dhe mbështet iniciativat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe për të zvogëluar rrezikun që kërcënon njerëzit në zonat e infektuara.

 

Rishikuar në Asamblenë XII të Përgjithshme – korrik 2010

Miratuar për herë të parë nga Asambleja V e Përgjithshme, 2001 –

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: