(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

8 MAJI – DITA BOTËRORE E KRYQIT TË KUQ : “Kudo për këdo!”

8 maji posteri

 

 

Këtë vit, në të gjithë botën, 8 maj – Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe kremtohet në mbarë botën në moton “Kudo për këdo” nga Lëvizja ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, lëvizja më e madhe vullnetare në botë, pjesë e së cilës janë 190 shoqata të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, me mbi 17 milion vullnetarë.

 

Në vitin e 95 vjetorit të themelimit të tij Kryqi i Kuq Shqiptar e kremton këtë ditë me dy veprimtari mjaft të rëndësishme që janë : Fushata për promovimin e vlerave humanitare të Kryqit të Kuq që finalizohet me Ekspozitën kombëtare të vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” dhe Konkursin kombëtar të Ndihmës së Parë.

 

Ekspozita XX Kombëtare “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” është finalja e një fushate disa mujore për promovimin e vlerave humanitare, që synon të kontribuojë në edukimin qytetar të fëmijëve dhe të ndërgjegjësojë pjesëmarrësit dhe publikun mbi veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar. Në të janë përfshirë një numër i madh nxënësish, mësuesish, vullnetarësh dhe të punësuarish në të gjithë vendin. Janë rreth 20 000 nxënës në të gjithë vendin, 38 ekspozita të hapura dhe rreth 300 vizatime të përzgjedhura për Ekspozitën Kombëtare të vizatimit. Këto aktivitete janë organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Arsimore dhe drejtoritë e shkollave. Këtë vit, Ekspozita hapet në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, falë mbështetjes së drejtuesve të saj të cilët i falënderojmë ngrohtësisht.

 

Veprimtaria e dytë e rëndësishme në këtë jubile është Faza finale e Konkursit XVIII Kombëtar të Ndihmës së Parë që zhvillohet në Parkun Rinia.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar prej vitesh është i angazhuar dhe luan rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit në përhapjen e njohurive të ndihmës së parë. Objektivi kryesor i Konkursit Kombëtar të Ndihmës së Parë është që në çdo situatë, të jemi të gatshëm dhe të aftë për të larguar rrezikun me qëllim që të shpëtojnë jetë njerëzish. Siç dihet kjo dekadë është shpallur “Dekada e sigurisë rrugore”.

 

Janë 39 takime në nivel degësh dhe tre takime rajonale që kanë përzgjedhur  9 ekipet më të mira që do të konkurrojnë në fazën finale, të cilat janë: ekipet e NP të degëve të KK Tiranë, Durrës, Librazhd, Shkodër, Lezhë, Dibër, Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Organizimi i këtij aktiviteti-konkurrues realizohet sipas standardeve të Konkursit Evropian të Ndihmës së Parë.

 

Ndihma e parë duhet të konsiderohet, jo si një alternativë për të ndërhyrë në shërbimin e urgjencave, por si një hap i parë jetësor për të ofruar një ndërhyrje të shpejtë dhe efektive. Ndihma e parë e menjëhershme mund të kontribuojë për të ulur shkallën e dëmtimit dhe për të rritur shanset për mbijetesë.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar

 

 

Ndajeni me miqte tuaj: