(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

4 Tetor 1921 – 4 tetor 2018 “97 vjet angazhim humanitar i Kryqit të Kuq Shqiptar”

4 Tetor 1921 – 4 tetor 2018
“97 vjet angazhim humanitar i Kryqit të Kuq Shqiptar.

Në kujtesë të themelimit të kësaj organizate humanitare, po japim për dashamirësit e tij, një nga dëshmitë e para të kësaj ngjarje të rëndësishme, ngjarje që vinte vetëm 9 vjet pas themelimit të shtetit të ri shqiptar.

Është një artikull i gazetares Roger Noëlle, me shumë gjasa, pjesëmarrëse në mbledhjen themeluese, shkruar për Gazetën “La Suisse”, më datë 27 tetor të vitit 1921.

Në Shqipëri
Një Kryq i Kuq i ri!

Shqipëria është një nga vendet e Europës që ka vuajtur më shumë nga lufta ballkanike dhe lufta botërore. E nëpërkëmbur nga luftëtarët e ushtrive luftuese, ajo ka parë se si vendi i saj ka shërbyer si fushë beteje: ushtritë austriake, serbe, bullgare, greke, italiane dhe franceze ndesheshin me rradhë mes tyre në malet dhe fushat e saj. Ajo u përshkua nga ushtria serbe në tërheqje, e harruar që po vdiste nga uria. Dhe pa dyshim që serbet e harruan mikpritjen që shqiptarët e Shqipërisë së Mesme u dhanë. Vendosja e armëpushimit dhe nënshkrimi i paqes , pa dyshim që nuk i dhanë fund fatkeqësive për Shqipërinë, atëbotë e vjedhur dhe e varfëruar. Ajo ishte lënë në duart e pushtuesve, të gjitha urat ishin kapur nga njëra palë ose tjetra – çka shtron pyetjen: e si mund të ringrihet kur dhe tani nuk e lënë të qetë këtë vend? Ushtria greke, duke u tërhequr, i dogji një numër të madh fshatrash. Ushtria serbe mban akoma të pushtuar një pjesë të territorit brenda kufijve të vitit 1913 dhe Shqipëria, e lirë, u jep strehë 55 000 refugjatëve që kanë lënë shtëpitë e tyre në flakë, të terrorizuar nga masakrat, fatkeqë, gjithnjë nën terrorin e sëmundjeve dhe urisë.
Ky është bilanci. Ky popull i vogël malësor që nuk kërkon vetëm se paqen me qëllim riparimin e gërmadhave dhe të shijojë lirinë të fituar më në fund, shikon se si Europa konteston të drejtën e tij për të jetuar – Europa që ka sakrifikuar miliona burra për atë që popujt të kenë të zgjedhjen për të vendosur ata vetë. Ironi e tmerrshme! Ka fjalë që nuk duhet të guxojmë t’i themi…
Çfarë duhet bërë për të ndihmuar këtë vend që të mjekojë plagët e tij dhe të ndihmojë refugjatët që po vdesin?
Në këto kushte është imponuar krijimi, krijimi i Kryqit të Kuq. Vetëm një Kryq i Kuq Shqiptar mund të grupojë vullnetet e mira, të kërkojë ndihma, të nxisë dhe të organizojë përpjekjet individuale; ai do të zërë vendin e tij ndërmjet Kryqeve të Kuq, dhe, në mbledhjet ndërkombëtare, do të bëj të dëgjohet zëri i Shqipërisë.
Të gjithë shqiptarët e ditur e kuptojnë nevojën për të themeluar në vendin e tyre një shoqatë të Kryqit të Kuq. Sigurisht që kjo nga ana tjetër, nuk ishte aspak një sipërmarrje e lehtë. Që në fillim u ndeshën me vështirësi të mëdha. Ky vend, me shumicë muslymane, a do të pranonin të gjithë emblemën me kryq? Ndërkohë nuk mundej që t’i kërkohej pakicës së krishterë që të zgjedhë Gjysmëhënën…Shumë shqiptarë ëndërronin një emblemë të tretë, të pranueshme prej tyre. Turqit: një shqiponjë apo një yll të kuq, për shembull. U desh që tu lihej të kuptonin se kjo ishte e pamundur – dhe e padobishme që t’i kërkohej Komiteti Ndërkombëtar pranimin e një embleme të tretë.
Mbetej perspektiva e bashkimit të tyre nën të vetmin flamur, kryqin dhe gjysmëhënën, zgjidhje kjo që shqetësonte mjaft mendjet që mendonin se një gjë e tillë do të shihesh keq nga Europa dhe do të nxiste dyshimet se një zgjidhje e tillë kërkonte që të gjendej gjithnjë në të, një kujtim nha zgjedha turke. Vetë disa muslyman e ndjenin këtë, përsa kohë ata kërkonin të afirmonin pavarësinë e tyre të plotë nga ish zotërit e tyre të vjetër.
Në Tiranë që duhet të ishte dhe selia e komitetit qendror të kësaj shoqate të re, hezitohej akoma, kur u pa të mbërrinte një delegacion nga seksioni i Vlorës, të organizuar i pari, tri javë më parë, me një entuziazmin e të porsabekuarit; dhe infermiere muslymane që mbanin në krah kryqin e kuq.
Një ditë parë nisjes sonë, pati një mbledhje mjaft të gjallë. Pas fjalës së gjatë të profesor Pittard mbi rolin që ka luajtur Kryqi i Kuq në Europë, dhe thirrjen që bëri duke përfunduar, duke u kërkuar shqiptarëve që të krijojnë përfundimisht shoqatën e tyre të Kryqit të Kuq, shumë oratorë u ngritën dhe morën fjalën. Ata deklaruan se do ta krijonin menjëherë. Ata mblodhën një komitet të gjerë qëndror në të cilën bënin pjesë përfaqësues nga të gjitha rajonet e Shqipërisë. U vendos Presidenti, zëvendës Presidenti, sekretari, inspektori i përgjithshëm, etj. Një lloj entuziazmi shpërtheu në asamble. Askush nuk hezitonte të diskutonte. Të gjithë ishin dakord. Ndehej se në këtë periudhë kaq të vështirë dhe kaq të tmerrshme për Shqipërinë, kjo përpjekje organizimi po kthehej në një vepër patriotike.
Dhe kur u bë thirrje për fonde, çdonjëri pjesëmarrës u shpreh bujarisht. Më 4 tetor, u krijua kështu Kryqi i Kuq Shqiptar. Detyra e parë e tij do të jetë që të ndihmojë refugjatët, mjerimi i të cilëve kalon çdo përshkrim. Çdo ditë vdesin njerëz. Fytyrat e tyre plot dhembje të mbeten në mendje si një mankth. Fëmijët e tyre të vegjël, të pa ushqyer sa duhet, të dërmuar nga ethet, janë të detyruar këtë dimër të shkojnë drejt një vdekje të sigurtë, nëse nuk ndërhyhet.
Sado të donim që Gjeneva, djepi i Kryqit të Kuq, të interesohej ndaj këtij biri të ardhur së fundi, dhe të kapur nga kaq shumë fatkeqësi, dhe në shenjë përshëndetje vëllazërore dhe mikpritje në rrethin e Kryqit të Kuq, Gjeneva të dërgojë ndihmesën e saj, nga kjo Gjenevë, ku çdo shenjë mjerimi nuk i lë zemrat indiferente, që t’i vij në ndihmë këtij Kryqi të Kuq të porsalindur, me qëllim që të shpëtoj disa nga këta vogëlush…

Noëlle ROGER

27 tetor 1921
Gazeta “La Suisse”

Ndajeni me miqte tuaj: