(+355) 4 22 57 532 / 22 27 508 | kksh@kksh.org.al

14 Qershor, Dita Botërore e dhuruesve të gjakut 2016 – “Gjaku na bashkon të gjithëve”

Foto 14 qershorit

 

515 qytetarë dhuruan gjak – falë punës sensibilizuese të KKSH.

 

Gjaku na bashkon të gjithëve” ishte këtë vit slogani i fushatës në kuadër të Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut. Së bashku me mesazhin tjetër “Falë jetë duke dhuruar gjak”, vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) sensibilizuan publikun gjerë se sistemi i dhurimit vullnetar është zgjidhja për një gjak të mjaftueshëm dhe të sigurt, për të gjitha ata që kanë nevojë, të sëmurë kronikë apo të aksidentuar. Fushata nxit ndjenjën e përkujdesjes për njëri tjetrin dhe të solidaritetit në nevojë.

Me qindra vullnetarë të KKSH në të gjithë vendin organizuan takime, shpërndanë materialet sensibilizuese e promovuan dhurimin e gjakut vullnetarisht pa pagesë. Ata u fokusuan në falënderimin e të gjithë dhuruesve vullnetar të gjakut në vend dhe në sensibilizimin veçanërisht të të rinjve si një kategori mjaft e rëndësishme kontribuuese në zgjidhjen e këtij problemi.

Vetë Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, dhuroi gjak pikërisht më 14 qershor. Është viti i tretë që ai jep shembullin e tij si një dhurues i hershëm, por dhe një promovues i rregullt i dhurimit vullnetar të gjakut.

Ishin të shumta institucionet shoqërore, që ndoqën shembullin e tij. Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, dhuroi gjak Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqja.

Kështu, vetëm në periudhën 1-14 Qershor, si rezultat i veprimtarisë intensive sensibilizuese, u arrit që në 18 degë të shprehnin gatishmërinë për të dhuruar 650 qytetarë dhe të dhuronin 515 njësi gjaku. Një rezultat ky mjaft inkurajues që na nxit të punojmë akoma më shumë në të ardhmen.

Organizimi i kësaj fushate, nuk do të ishte bërë i mundur pa mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, dhe medias audiovizive si TVSH, Neës 24, Scan TV, shumë TV lokale, apo Gazetat “Panorama” dhe “Telegraf” që i dhanë zë dhe figurë kësaj fushate. Pa kontributin e Kompanisë “Agna Group” dhe “Metro sh.a.” që falën hapësirat e tyre publicitare për këtë fushatë.

Falënderojmë ngrohtësisht vajzat dhe stafin e “Mis Univers 2016” që ofruan imazhin dhs shpirtin e tyre në këtë fushatë.

E veçantë për këtë fushatë mbetet organizimi nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i shfaqes së baletit “Arrëthyesit” të Cajkovskit, dhe organizimi i ceremonisë së falënderimit të gjithë dhuruesve vullnetarë, institucioneve, medias dhe institucioneve shtetërore apo private që kontribuan në këtë fushatë, të cilat u nderuan me Certifikata Falënderimi.

Ne besojmë shumë, se vendi ynë është në rrugë të mbarë për të arritur objektivin e OBSH që deri në vitin 2020, të gjithë vendet të sigurojnë furnizimet e tyre me gjak 100% nga dhurues vullnetarë dhe pa-pagesë.

 

Kryqi i Kuq Shqiptar

Ndajeni me miqte tuaj: